Gjatë panelit “Ndërtimi i një mburoje mbrojtëse për infrastrukturat kritike në Ballkanin Perëndimor përmes bashkëpunimit”, Z. Saimir Kapllani, Drejtor i Analizës së Përputhshmërisë, Riskut dhe Kontrollit në AKCESK, hodhi dritë mbi sfidat me të cilat përballet rajoni ynë në fushën e sigurisë kibernetike. Ai theksoi rëndësinë vitale të zgjerimit të bashkëpunimit për ndarjen e të dhënave mbi kërcënimet kibernetike, rritjen e kapaciteteve të ekspertëve rajonalë përmes iniciativave të përbashkëta të trajnimit, dhe domosdoshmërinë e fuqizimit të partneriteteve publike dhe private në sektorët e kërkimit dhe akademik. Z. Kapllani gjithashtu nënvizoi nevojën për investime strategjike në teknologji të avancuara që do të ndihmojnë në monitorimin efikas dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike.
Ky takim ishte një platformë për të ndërtuar marrëdhënie më të forta rajonale dhe për të përcaktuar rrugët e ardhshme të veprimit për një Ballkan Perëndimor më të sigurt në hapësirën kibernetike. AKCESK vazhdon të jetë i angazhuar për të ndërmarrë hapa konkretë drejt një bashkëpunimi më të ngushtë rajonal dhe ndërkombëtar, duke ndarë përgjegjësitë dhe duke përbashkuar forcat për të përballuar sfidat e sigurisë kibernetike.