Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një takim me përfaqësues të Infrastrukturave Kritike dhe të Rëndësishme të Informacionit, me fokus forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike kombëtare dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe operatorëve privatë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, vlerësoi bashkëpunimin me Infrastrukturat Kritike dhe të Rëndësishme të Informacionit dhe rolin e tyre në forcimin e sigurisë kibernetike në vend. Ai theksoi se, përballë një mjedisi kërcënimesh gjithnjë në zhvillim, raportimi i incidenteve, komunikimi i vazhdueshëm dhe reagimi i koordinuar mbeten elementë kyç për mbrojtjen e infrastrukturave.
Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu prioritetet e Autoritetit për periudhën në vijim, përfshirë forcimin e kapaciteteve monitoruese, ngritjen e CSIRT-eve sektoriale dhe mbështetjen e vazhdueshme të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme përmes auditimeve, testimeve të sigurisë dhe trajnimeve të zhvillimit të kapaciteteve.
Takimi shërbeu si një platformë dialogu për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në funksion të një mjedisi digjital më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.
AKSK falënderon DCAF për mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve kombëtare të sigurisë kibernetike.
