Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi trajnimin e parë me përfaqësues të Sipërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (SME), në kuadër të Programit Kombëtar për Ndërtimin e Kapaciteteve të Sigurisë Kibernetike për SME-të. Aktiviteti u fokusua në rritjen e ndërgjegjësimit dhe forcimin e njohurive praktike mbi sigurinë kibernetike në mjedisin e biznesit.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me konceptet bazë të qeverisjes së sigurisë kibernetike, menaxhimit të riskut dhe kontrolleve mbrojtëse, si dhe me praktikat e higjienës kibernetike që ndihmojnë në reduktimin e ekspozimit ndaj kërcënimeve dhe incidenteve kibernetike. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit iu kushtua edhe vlerësimit të maturitetit kibernetik të SME-ve, për të identifikuar nevojat dhe prioritetet për mbështetje të mëtejshme.
Ky program i ndërmarrë nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, synon të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të sigurisë kibernetike të SME-ve, duke i mbështetur ato në ndërtimin e proceseve dhe praktikave më të sigurta për mbrojtjen e sistemeve, të dhënave dhe shërbimeve të tyre.
Falënderojmë DCAF për mbështetjen në zbatimin e këtij programi dhe të gjithë përfaqësuesit e bizneseve për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre.
