Kush është më i rrezikshëm: sulmuesi apo pakujdesia jote?

Në një botë gjithnjë e më të lidhur përmes teknologjisë, siguria kibernetike nuk është më thjesht çështje teknike – është një sfidë njerëzore. Pavarësisht sa të avancuara janë sistemet mbrojtëse, në zemër të çdo incidenti kibernetik qëndron shpesh një faktor i vetëm: sjellja e njeriut.

Statistikat globale tregojnë se mbi 90% e incidenteve në sigurinë kibernetike nisin nga një gabim njerëzor. Një klikim në një link të rremë, një fjalëkalim i dobët, një USB e panjohur, apo ndarja e pakujdesshme e informacionit – veprime të vogla, por që mund të çojnë në pasoja të mëdha: vjedhje të të dhënave, ndërprerje të sistemeve, apo edhe bllokim të plotë të rrjeteve të institucioneve.

Teknologjia nuk gabon, por njeriu po

As firewall-i më i fortë dhe as inteligjenca artificiale më e avancuar nuk mund të mbrojnë një përdorues që klikon pa menduar. Sulmuesit sot nuk kanë nevojë të thyejnë kode – mjafton t’i mashtrojnë njerëzit. Phishing-u, mashtrimet digjitale dhe inxhinieria sociale janë bërë mjete të zakonshme të sulmeve kibernetike.

Higjiena kibernetike, mburoja që fillon nga vetja

Për këtë arsye, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka vendosur edukimin në qendër të punës së tij. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme për higjienën kibernetike, synojmë t’u japim qytetarëve, institucioneve dhe bizneseve mjetet për t’u mbrojtur në mënyrë të thjeshtë dhe praktike.

Trajnimet përfshijnë këshilla konkrete mbi ruajtjen e fjalëkalimeve, njohjen e mashtrimeve digjitale, mbrojtjen e pajisjeve dhe mënyrat për të reaguar në rast sulmi.

Të gjithë jemi pjesë e kësaj mbrojtjeje

AKSK është e angazhuar të ndërgjegjësojë njerëz të të gjitha moshave dhe kategorive – nga punonjës të administratës dhe studentë të teknologjisë, te qytetarë të zakonshëm që përdorin rrjetet sociale apo shërbime online. Edukimi për sigurinë digjitale nuk është një luks, por një nevojë për të gjithë. Sepse rreziqet nuk njohin moshë, profesion apo nivel njohurish.

Si ta shmangim gabimin njerëzor?

Mjafton të bëjmë disa hapa të thjeshtë, por të qëndrueshëm:

  • Verifiko gjithmonë burimin e email-eve dhe linkëve
  • Përdor fjalëkalime të forta dhe autentikim me dy faktorë
  • Mos shpërndaj informacion personal në mënyrë të pakujdesshme
  • Rraporto çdo rast të dyshimtë
  • Pjesëmarr në trajnime dhe fushata ndërgjegjësuese për sigurinë

Sepse siguria fillon nga ti

Në fund, teknologjia është vetëm një mjet – është mënyra se si e përdorim ajo që bën ndryshimin. Prandaj, ndërtimi i një kulture të qëndrueshme sigurie është përgjegjësi e përbashkët. Dhe ajo nis nga vetëdija për rolin që secili prej nesh ka.

AKSK do të vijojë të jetë pranë qytetarëve, institucioneve dhe të rinjve – për të ndërtuar një hapësirë digjitale më të sigurt për të gjithë.

Për t’u informuar mbi trajnimet në higjienën kibernetike dhe aktivitetet tona, vizitoni www.aksk.gov.al.

 

VPN falas? Ja pse kjo zgjedhje mund të jetë e gabuar