Pas sulmeve kibernetike të datës 25 Dhjetor drejt kompanisë së telekomunikacionit ONE dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet kësaj deklarate, AKCESK njofton publikun për progresin dhe masat e marra.
Nga momenti i njoftimit, ekspertët tanë në bashkëpunim me AKEP dhe partnerët ndërkombëtarë, kanë punuar pa ndërprerje për të adresuar dhe kuptuar plotësisht natyrën e këtyre sulmeve.
Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe monitorimit të koordinuar, AKCESK ka arritur të identifikojë raste potenciale në kohë reale, duke ofruar një reagim të shpejtë dhe efikas në mbrojtje të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
Përpjekjet tona janë fokusuar në identifikimin e burimeve të sulmeve, rimëkëmbjen e sistemeve të prekura, dhe në zbatimin e masave parandaluese, duke rezultuar në shmangien e incidenteve të ngjashme në infrastruktura të tjera të informacionit. Punë intensive është bërë për të forcuar sigurinë e sistemeve, duke siguruar që shërbimet të rikthehen në operim të plotë sa më shpejt të jetë e mundur.
Analiza jonë ka vënë në dukje se sulmet nuk kanë origjinë nga IP shqiptare, duke na ndihmuar të kuptojmë më mirë dimensionet ndërkombëtare të kërcënimit. Ky incident ka nxitur AKCESK të rishikojë dhe të forcojë strategjitë e tij të sigurisë kibernetike, duke përfshirë zhvillimin e trajnimeve të specializuara për stafet përgjegjëse dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
AKCESK është në mënyrë të vazhdueshme plotësisht i angazhuar për menaxhimin e pasojave nga sulmet kibernetike të ndodhura. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën me kujdes dhe të japim përditësime të rregullta për publikun dhe palët e interesuara.