Në datat 24-27 Prill 2023 në San Francisco, USA organizohet konferenca “RSA Conference 2023”. Konferenca mbledh liderët e sigurisë kibernetike dhe përfaqësuesit më të rëndësishëm të industrisë, me qëllim ndërtimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis vendeve pjesëmarrëse, shkëmbimin e praktikave më të mira për rritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e informacioneve mbi përdorimin dhe menaxhimin e sigurt të produkteve e shërbimeve të sigurisë kibernetike.
Gjatë sesionit “How like-minded nations operate in today’s cyber environment” Shqipëria, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm i AKCESK Z. Igli Tafa, prezantoi sfidat me të cilat po përballet vendi ynë dhe hapat progresive që po ndërmerren, me qëllim rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në nivel kombëtar.
Gjithashtu, në vijim të diskutimeve të këtij sesioni, kreu i AKCESK parashtroi kërkesën për përfshirjen e Shqipërisë në disa iniciativa, si ajo për ngritjen e “Platformës së Ransomware”, e cila është iniciuar nga Izraeli, Australia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Hollanda dhe Gjermania.
Konferenca vijon sot me adresimin e çështjeve të rëndësishme të fushës, ndër të cilat do të diskutohen sfidat për profesionistët e sigurisë kibernetike, rëndësia e krijimit të partneriteteve ndërkombëtare për rritjen e mbrojtjes kibernetike dhe implementimi i ZeroTrust.