Shqipëria është anëtarësuar në International Coalition on Cyber Security Workforces (ICCSW), duke u bërë vendi i parë nga rajoni që i bashkohet këtij koalicioni ndërkombëtar për zhvillimin e kapaciteteve profesionale në sigurinë kibernetike.
ICCSW udhëhiqet nga Departamenti Britanik për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT) dhe bashkon qeveri e organizata që punojnë për ngritjen dhe ruajtjen e një fuqie punëtore të kualifikuar e të qëndrueshme në këtë fushë.
Puna e koalicionit fokusohet në krijimin e një terminologjie të përbashkët për aftësitë profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira, përcaktimin e standardeve minimale të cilësisë për profesionistët dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ndërmjet kuadrove kombëtare të sigurisë kibernetike.
Anëtarësimi në ICCSW mbështet vizionin e Qeverisë shqiptare për ta pozicionuar Shqipërinë si një qendër rajonale të dijes dhe ekspertizës në sigurinë kibernetike. Përmes këtij bashkëpunimi, vendi do të kontribuojë në zhvillimin e qasjeve dhe standardeve të përbashkëta ndërkombëtare, do të shkëmbejë ekspertizë me shtetet anëtare dhe do të forcojë përgatitjen e profesionistëve shqiptarë në këtë fushë.