AKSK vendos fokusin te testimi inteligjent dhe vlerësimi i hershëm i dobësive

Në vijim të serisë së takimeve me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi sot sesionin e tretë teknik me temë “Monitorimi dhe Simulimi Proaktiv”, pjesë e procesit për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe ngritjen e standardeve të mbrojtjes në hapësirën digjitale.

Në hapje të aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Igli Tafa, theksoi se siguria kibernetike nuk mund të kufizohet më në reagim pas incidenteve, por duhet të ndërtohet mbi parashikimin dhe parandalimin. Ai nënvizoi rëndësinë e investimit në dije, trajnime dhe ekspertizë profesionale, duke theksuar se fuqia e vërtetë e sigurisë qëndron në përgatitjen e specialistëve dhe në përdorimin inteligjent të teknologjisë.

Gjatë aktivitetit, me pjesëmarrjen e rreth 250 përfaqësuesve nga infrastrukturat, u prezantua platforma kombëtare për testime të depërtueshmërisë, që shfrytëzon inteligjencën artificiale për të identifikuar dhe analizuar dobësitë në sistemet digjitale, si dhe u diskutua roli i Red Team dhe qasjet e reja të bashkëpunimit ndërsektorial. Kjo nismë vjen në kuadër të programit “AKSK ProActive 2026”, që synon forcimin e qasjes parandaluese dhe ndërtimin e një ekosistemi kombëtar të qëndrueshëm të sigurisë kibernetike.

AKSK falënderon Qendrën e Gjenevës për Qeverisje në Sektorin e Sigurisë DCAF për mbështetjen në këtë aktivitet dhe partneritetin e vazhdueshëm në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e sigurisë kibernetike.

 

Nga reagimi te parandalimi: Qasja e re e AKSK për Menaxhimin e Rrezikut Kibernetik