Nga reagimi te parandalimi: Qasja e re e AKSK për Menaxhimin e Rrezikut Kibernetik

Në kuadër të forcimit të sigurisë kibernetike dhe garantimit të qëndrueshmërisë kombëtare ndaj kërcënimeve, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) organizoi aktivitetin “Menaxhimi i Rrezikut Kibernetik dhe Vlerësimi i Tij”, me pjesëmarrjen e rreth 300 përfaqësuesve nga infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Në fjalën e tij hapëse, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi se të dhënat dhe informacioni janë arma më e fuqishme e një shteti, duke nënvizuar domosdoshmërinë e standardizimit të qasjes ndaj rrezikut, si dhe të ndërtimit të një kulture të përbashkët të parandalimit dhe menaxhimit.

“Vetëm duke folur me një gjuhë të përbashkët për rrezikun mund të kalojmë nga një shoqëri reaguese në një shoqëri parandaluese. Duhet të ndërtojmë besim, të ndajmë informacionin dhe të investojmë në standarde dhe kapacitete njerëzore,” – u shpreh z. Tafa, duke theksuar gjithashtu se inteligjenca artificiale po shndërrohet në një mjet të dyfishtë, që mund të fuqizojë mbrojtjen, por edhe të përshpejtojë sulmet kibernetike nëse nuk trajtohet me kujdes dhe përgjegjësi.

Gjatë aktivitetit, ekspertët e AKSK prezantuan Metodologjinë Kombëtare për Vlerësimin e Rrezikut të Sigurisë Kibernetike, një instrument që përcakton hapat, burimet e informacionit dhe procesin e implementimit për matjen dhe menaxhimin e rrezikut në nivel institucional, si dhe një rast studimor mbi zbatimin e saj në praktikë.
Gjithashtu, u prezantua Raporti Kombëtar i Vlerësimit të Rrezikut, i cili përmbledh gjetjet kryesore dhe trendet sektoriale në nivel kombëtar, duke ofruar një panoramë të qartë mbi sfidat dhe prioritetet për përmirësimin e sigurisë digjitale.

Ky aktivitet u zhvillua me mbështetjen e Qendrës së Gjenevës për Qeverisje në Sektorin e Sigurisë (DCAF), në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm për ngritjen e kapaciteteve dhe forcimin e sigurisë kibernetike në Shqipëri.

Buletini i Lajmeve të Sigurisë Kibernetike Tetor 2025