Në kuadër të Konferencës mbi Kërcënimet Hibride organizuar nga Hybrid CoE në Tiranë në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, u zhvillua një workshop i dedikuar për përfaqësues të mediave mbi rreziqet që vijnë nga sulmet kibernetike dhe ato hibride që prekin vendin tonë.
Gjatë sesionit u analizuan rastet që kanë prekur Shqipërinë vitet e fundit, taktikat e aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë, si dhe ndikimi që këto praktika kanë në mjedisin informativ dhe në qëndrueshmërinë shoqërore. Drejtori i AKSK-së, Igli Tafa, prezantoi gjithashtu një nga iniciativat kryesore të institucionit për vitin e ardhshëm: ngritjen e një qendre rajonale të specializuar në fushën e kërcënimeve hibride, që synon forcimin e bashkëpunimit dhe analizës në nivel rajonal.
Diskutimet u fokusuan te roli kritik i medias në informimin e saktë të publikut, sidomos në situata të ndjeshme ku sulmet kibernetike apo ndërhyrjet hibride mund të shkaktojnë pasiguri dhe konfuzion. U theksua rëndësia e verifikimit të fakteve, përdorimit të burimeve të besueshme dhe shmangies së amplifikimit të lajmeve të fabrikuara.
