Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një takim me rektorë, përfaqësues të universiteteve dhe zëvendësministren e arsimit, ku CRDF Global prezantoi një projekt katërvjeçar të mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i fokusuar në rritjen e kapaciteteve teknike dhe akademike në fushën e sigurisë kibernetike. Projekti synon përafrimin e programeve universitare me kërkesat reale të tregut të punës dhe forcimin e rolit të institucioneve të arsimit të lartë në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare digjitale.
Programi parashikon një paketë ndërhyrjesh strategjike, përfshirë trajnimin e trajnuesve, zhvillimin e moduleve praktike dhe rishikimin e politikave që rregullojnë arsimin e lartë, me synimin që universitetet të ndërtojnë struktura funksionale që në të ardhmen mund të ofrojnë trajnime mbi shërbime e tipit SOC.
Takimi shërbeu për të përcaktuar hapat e parë të zbatimit dhe aktivitetet prioritare, duke vendosur bazat për një bashkëpunim të qëndrueshëm mes AKSK, universiteteve dhe partnerëve ndërkombëtarë në ndërtimin e një ekosistemi të talenteve në fushën e sigurisë kibernetike.
