Nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet AKSK dhe British Council për zhvillimin e kapaciteteve në sigurinë kibernetike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike dhe British Council nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, duke vendosur një kuadër bashkëpunimi afatgjatë në zhvillimin e aftësive, mbështetjen e politikave dhe rritjen e kapaciteteve në sigurinë kibernetike.

Marrëveshja u formalizua në kuadër të eventit përmbyllës të projektit CybHER, në prani të Sh.T.Z. Nick Abbott, Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, dhe znj. Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilët theksuan rëndësinë e investimit në kapitalin njerëzor dhe partneritetet afatgjata për zhvillimin e sektorit.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm në detyrë i AKSK, Saimir Kapllani, e cilësoi zhvillimin e talenteve në sigurinë kibernetike si prioritet strategjik, duke nënvizuar se kjo fushë përbën një komponent thelbësor të sigurisë kombëtare.Ai u shpreh se asnjë strategji apo teknologji nuk mund të jetë efektive pa kapacitetet njerëzore që i japin jetë këtyre mekanizmave, duke e konsideruar investimin në aftësi, njohuri, përvojë dhe talent si themelin e një sistemi të qëndrueshëm të sigurisë kibernetike. Në këtë kuadër, ai vuri theks të veçantë në rëndësinë e fuqizimit të vajzave dhe grave në këtë sektor, jo vetëm si çështje barazie, por si rritje reale e kapaciteteve kombëtare dhe forcim i cilësisë së ekipeve përballë kërcënimeve komplekse.

Memorandumi synon të thellojë bashkëpunimin në programe trajnimi, iniciativa për zhvillimin e talenteve dhe krijimin e urave lidhëse ndërmjet arsimit, institucioneve dhe sektorit privat, me fokus të veçantë në krijimin e mundësive konkrete për vajzat dhe gratë që të ndërtojnë karrierë të qëndrueshme në këtë sektor.

ECSC 2026: Apliko për të përfaqësuar Shqipërinë në European Cyber Security Challenge