Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një tjetër takim me përfaqësues të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, në vijim të ciklit të takimeve të dedikuara për forcimin e kapaciteteve dhe mbështetjen e zbatimit të kuadrit ligjor në fushën e sigurisë kibernetike.
Në qendër të trajnimit ishte menaxhimi dhe vlerësimi i rrezikut kibernetik, në përputhje me metodologjinë e miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 308, datë 4.6.2025. Gjatë sesionit u trajtuan hapat kyç të këtij procesi, duke nisur nga mbledhja dhe analizimi i informacionit, deri te identifikimi, vlerësimi dhe raportimi i rreziqeve, si dhe përgjegjësitë e operatorëve në menaxhimin e tyre në raport me sistemet e rrjeteve dhe informacionit.
Përmes këtij takimi u synua mbështetja e operatorëve në zbatimin praktik të kërkesave të metodologjisë, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë dhe aftësisë për të menaxhuar rreziqet që ndikojnë në funksionimin e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit.
AKSK falënderon DCAF për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e këtyre aktiviteteve.
