Në realitetin digjital të sotëm, ku aplikacionet dhe platformat mund të kufizohen për arsye të ndryshme ligjore apo të sigurisë, shumë përdorues kërkojnë mënyra për të anashkaluar këto barriera. Zgjidhja më e shpejtë për ta duket të jetë një aplikacion VPN falas.
Por ajo që pak e kuptojnë është se, ndërkohë që një VPN falas mund të zhbllokojë një faqe, ai mund të hapë shumë më tepër: derën për abuzim me të dhënat, për ndjekje të fshehtë dhe për rrezik serioz të sigurisë personale.
Çfarë është një VPN dhe si funksionon?
Një VPN (Virtual Private Network) krijon një lidhje të enkriptuar midis pajisjes suaj dhe një serveri në një vend tjetër, duke maskuar adresën tuaj IP dhe aktivitetin tuaj online. Përdoret zakonisht për të rritur privatësinë, për të aksesuar përmbajtje të bllokuar gjeografikisht dhe për të shmangur ndjekjen në rrjet.
Por jo të gjithë VPN-të janë të barabartë. Ndërsa versionet me pagesë ofrojnë shpesh standarde të larta sigurie dhe respekt për privatësinë, shumë VPN falas funksionojnë ndryshe — dhe shpesh në dëm të përdoruesit.
Çfarë e bën një VPN falas të pasigurt?
VPN-të falas nuk janë bamirësi. Ato kanë nevojë për të ardhura për të funksionuar. Dhe në mungesë të pagesës nga përdoruesit, burimi i fitimit bëhet vetë përdoruesi: ti, të dhënat e tua, lëvizjet e tua, zakonet e tua.
Këto janë disa nga rreziqet kryesore të VPN-ve falas:
- Mbledhja dhe shitja e të dhënave personale – shumë prej tyre regjistrojnë gjithçka që bëni online dhe e shesin këtë informacion kompanive reklamash apo aktorëve të tjerë, pa dijeninë tuaj.
- Mungesë enkriptimi të vërtetë – lidhjet shpesh nuk janë të sigurta, duke i ekspozuar të dhënat ndaj përgjimeve dhe sulmeve.
- Injektim i reklamave dhe malware – VPN-të falas mund të futin reklama të padëshiruara në shfletuesin tuaj, dhe në disa raste, edhe viruse që dëmtojnë pajisjen.
- Akses i paautorizuar në pajisje – disa VPN falas kanë pasur raste të dokumentuara ku pajisja e përdoruesit është përdorur për të kryer veprime të paligjshme.
- Trafikim në serverë të dyshimtë – të dhënat kalojnë nëpër serverë që nuk janë të monitoruar apo të verifikueshëm, shpesh të vendosur në vende me ligje të dobëta për mbrojtjen e privatësisë.
Rreziku nuk është vetëm individual — por edhe kolektiv
Kur përdoruesit bien pre e aplikacioneve të pasigurta, pasojat nuk janë vetëm personale. Të dhënat e tyre mund të përdoren për sulme më të mëdha, për fushata dezinformimi, apo për të krijuar dobësi në sistemet më të gjera të sigurisë. Në rastet kur aplikacione të dyshimta përdoren masivisht, rreziku mund të zgjerohet në nivel kombëtar.
Çfarë rekomandon AKSK?
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u bën thirrje qytetarëve që të mos përdorin VPN falas, për shkak të rrezikut serioz që ato paraqesin për sigurinë dhe privatësinë personale.
Përdorimi i VPN-ve falas është veprim me pasoja. Prandaj rekomandojmë:
- Mos shkarkoni dhe mos instaloni aplikacione VPN falas nga burime të panjohura apo jozyrtare.
Shumica prej tyre nuk garantojnë mbrojtje dhe shfrytëzojnë të dhënat tuaja për përfitime të tyre. - Mos i besoni aplikacioneve që premtojnë akses të lirë dhe të pakufizuar.
Shërbimet “falas” shpesh janë mashtrime që synojnë mbledhjen e të dhënave personale. - Mos ndani asnjëherë informacion personal për të aktivizuar një VPN falas.
Kërkesa për regjistrim me email, numër telefoni apo akses në pajisje është një shenjë e qartë rreziku. - Mos përdorni VPN për të anashkaluar kufizime të vendosura për arsye sigurie apo ligjshmërie.
Këto veprime jo vetëm që cënojnë sigurinë tuaj, por mund të kenë pasoja më të gjera. - Mos e sakrifikoni sigurinë personale për akses të përkohshëm.
Asnjë aplikacion apo platformë nuk vlen më shumë se të dhënat dhe privatësia juaj.
Mos lejo që një aplikacion i vogël të hapë një derë të madhe rreziku në jetën tënde digjitale.
VPN falas mund të duket si zgjidhje, por është një kompromis me sigurinë. Në vend që të mbrojnë privatësinë, ato shpesh janë mjeti që e shkelin atë më së shumti.