Zhvillohet workshop-i për projektligjin e identifikimit elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin digjital

Shqipëria po forcon themelet e identitetit të saj digjital me prezantimin e draft-ligjit për Identifikimin Elektronik, Shërbimet e Besuara dhe Portofolin Digjital, në një workshop të organizuar në kuadër të projektit Cyber Balkans, të financuar nga Bashkimi Europian dhe zbatuar nga eGA, CILC dhe NÚKIB. Aktiviteti mblodhi institucionet publike, sektorin financiar, komunitetin fintech dhe partnerët ndërkombëtarë për të diskutuar një prej reformave më të rëndësishme në drejtim të digjitalizimit të shërbimeve.

Në hapje, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, Igli Tafa, theksoi rolin transformues të draft-ligjit në modernizimin e identifikimit elektronik dhe në krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe shërbimet publike. Ai vuri në dukje rëndësinë e integrimit të sigurisë kibernetike në këtë proces, sidomos në kontekstin e vizionit kombëtar për një ekonomi “cashless” deri në vitin 2030.

Znj. Emily van Rheenen, Udhëheqëse e Komponentit në CILC për projektin Cyber Balkans, vlerësoi përparimin e Shqipërisë drejt përafrimit me eIDAS 2.0, ndërsa Geert-Jan van de Ven, Drejtor i Qendrës së Sigurisë dhe Privatësisë së Informacionit në Holandë, nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit publik–privat për funksionimin e një ekosistemi të besueshëm të identitetit elektronik. Në vijim, përfaqësuesit e AKSHI-t prezantuan qasjen praktike të zbatimit të Portofolit Digjital në Shqipëri, duke paraqitur elementet kryesore të arkitekturës së tij dhe mundësitë që kjo reformë sjell në ofrimin e shërbimeve publike.

Workshop-i u pasurua me një sesion interaktiv me pjesëmarrësit, i cili mundësoi mbledhjen e komenteve dhe vlerësimeve mbi zbatimin praktik të portofolit digjital dhe elementëve kryesorë të draft-ligjit. Diskutimet kontribuan në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në përgatitjen e vendit për ngritjen e një kuadri të sigurt, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet europiane.

AKSK dhe organizatat joqeveritare drejt një qasjeje gjithëpërfshirëse për sigurinë kibernetike