Western Balkan Cyber Camp 2025 – 60 të rinj nga 6 vende të Ballkanit përgatiten në Shqipëri për sfidat e sigurisë kibernetike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) përmbylli me sukses Western Balkan Cyber Camp 2025, një kamp treditor që mblodhi 60 të rinj nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, me synimin për të zhvilluar aftësitë e tyre teknike dhe strategjike në fushën e sigurisë kibernetike. Ky kamp shërbeu si një platformë unike për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, duke promovuar bashkëpunimin rajonal dhe krijimin e lidhjeve të qëndrueshme mes të rinjve me interesa të përbashkëta në sigurinë digjitale.
Gjatë kampit, pjesëmarrësit morën pjesë në trajnime intensive, sfida praktike dhe seanca mentorimi të udhëhequra nga ekspertë të industrisë. Programi përfshiu gjithashtu panele diskutimi me përfaqësues të nivelit të lartë, sesione praktike dhe gara sfiduese që synuan të formojnë liderët e ardhshëm në sigurinë kibernetike.
Një nga pjesëmarrëset, Selma Salman nga Bosnje dhe Hercegovina, theksoi se kampi ka qenë një mundësi për të zhvilluar aftësitë e saj dhe për të ndarë përvoja me të rinj të tjerë nga rajoni, duke krijuar lidhje të vlefshme për të ardhmen profesionale.
Zëvendësdrejtoresha e AKSK, znj. Floreta Faber, theksoi se marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike dhe se lidhja e ngushtë midis vendeve të rajonit ka rëndësi të veçantë. Ajo nënvizoi se ky kamp, që organizohet për të dytën herë radhazi nga AKSK, është një mundësi për të rinjtë jo vetëm të zhvillohen profesionalisht, por edhe të krijojnë lidhje të qëndrueshme me njëri-tjetrin.
Western Balkan Cyber Camp 2025 konfirmon përkushtimin e AKSK për të mbështetur zhvillimin e talenteve të rinj dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në rajon, duke krijuar një komunitet ekspertësh të përgatitur për të përballuar sfidat komplekse të sigurisë digjitale dhe për të mbrojtur infrastrukturat kritike të rajonit.

AKSK zhvilloi një trajnim gjithëpërfshirës mbi Higjienën Kibernetike në qytetin e Durrësit