Siguria Kibernetike si Komponent Strategjik i Ekosistemit të Sipërmarrjes

Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, u organizua aktiviteti “Sipërmarrje e sigurt në epokën digjitale – Roli i sigurisë kibernetike në zhvillimin e bizneseve”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të startup-eve, aktorëve të ekosistemit të inovacionit dhe institucioneve publike. Diskutimet u përqendruan te ndikimi që transformimi teknologjik po ushtron mbi sipërmarrjen dhe tek rëndësia e vendosjes së sigurisë kibernetike si komponent themelor i zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve digjitale.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Igli Tafa, theksoi se zhvillimet e shpejta teknologjike, nga inteligjenca artificiale te sistemet OT/ICS, cloud, blockchain dhe proceset e automatizuara, kërkojnë që produktet e reja të ndërtohen me sigurinë të integruar që në fazën fillestare. Ai u shpreh se start-up-et nuk janë një model tradicional biznesi, por një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj ndryshimeve që po ndodhin në mënyrën si funksionon teknologjia, dhe për këtë arsye përbëjnë një shtyllë të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike. Sipas tij, boshllëku i ekspertizës dhe ritmi i lartë i zhvillimit e bëjnë të domosdoshme modernizimin e kurrikulave, forcimin e praktikës “hands-on” dhe krijimin e hapësirave ku të rinjtë të eksperimentojnë me teknologjitë bashkëkohore, pasi inovacioni dhe zgjidhjet reale lindin pikërisht nga mendjet e reja dhe fleksibiliteti që karakterizon startup-et.

Aktiviteti vijoi me diskutime mbi praktikat e sigurta të zhvillimit të produkteve, rolin e qasjeve inovative në modelimin e shërbimeve digjitale dhe mënyrat se si bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, startup-eve dhe akademisë mund të forcojë ekosistemin kombëtar të inovacionit. Në përmbyllje u theksua se zhvillimi i qëndrueshëm i sipërmarrjes kërkon një kulturë ku siguria kibernetike është pjesë thelbësore e procesit të inovacionit, duke krijuar bazat për një ekonomi të aftë të përballet me sfidat teknologjike të së tashmes dhe të së ardhmes.

Deklaratë mbi ndërprerjen e shërbimeve të ofruara përmes platformës ndërkombëtare “Cloudflare”