Shqipëria drejt Varshavës – Vijon procesi i përzgjedhjes së ekipit përfaqësues për ECSC 2025

20 të rinj u përballën me një sfidë praktike në Laboratorin e Sigurisë Kibernetike në AKSK, në kuadër të fazës së tretë të përzgjedhjes për ekipin kombëtar që do të përfaqësojë Shqipërinë në European Cyber Security Challenge. Sfida konsistoi në një ushtrim real me ndarje në Red dhe Blue Team, ku pjesëmarrësit testuan aftësitë e tyre në sulm dhe mbrojtje kibernetike.

Procesi do të vijojë me sfida dhe trajnime të dedikuara, pas të cilave do të përzgjidhen 10 fituesit që do të mbajnë flamurin shqiptar më 6–10 tetor në Varshavë, Poloni, në garën më prestigjioze evropiane për talentët e rinj të sigurisë kibernetike.

Drejtori i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi se ky kompeticion ka një vlerë të veçantë jo vetëm për rritjen profesionale të të rinjve, por edhe për përfaqësimin kombëtar. “Ngritja e flamurit të Shqipërisë në mesin e ekipeve më të mëdha të Evropës është një emocion i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe,” u shpreh ai. Z. Tafa shtoi se përmes përgatitjes dhe trajnimeve intensive synohet maksimizimi i rezultateve, ndërsa AKSK do të jetë plotësisht e angazhuar për t’i mbështetur pjesëmarrësit në këtë kompeticion.

Në partneritet me zyrën e UNDP Albania dhe projektin “Youth for Inclusion, Equality, and Trust”, kjo nismë po u jep të rinjve shqiptarë një mundësi unike për të treguar talentin e tyre në një kompeticion prestigjioz evropian.

     
AKSK prezanton mekanizmin e ri të raportimit të incidenteve kibernetike sipas direktivës NIS2