Raportimi dhe menaxhimi i incidenteve kibernetike në fokus të trajnimit me infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit

Në vijim të programit të takimeve të përjavshme me infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, u zhvillua këtë herë sesioni i radhës me fokus “Raportimi dhe menaxhimi i incidenteve kibernetike”.

Trajnimi u përqendrua në forcimin e mekanizmave të raportimit në kohë, qartësimin e zinxhirit të komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si dhe në strukturimin e procesit të menaxhimit të incidenteve nga momenti i evidentimit deri në rikuperimin e plotë të sistemeve. Përmes diskutimeve praktike u theksua rëndësia e dokumentimit, analizës pas incidentit dhe identifikimit të masave për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të ngjashme.
Në kuadër të këtij sesioni, u zhvillua gjithashtu një cyber drill, i konceptuar si një simulim i një situate reale incidenti kibernetik, i përshtatur për nevojat dhe specifikat e infrastrukturave pjesëmarrëse. Ky ushtrim synoi testimin e procedurave të reagimit, përmirësimin e koordinimit ndërmjet aktorëve dhe rritjen e kapaciteteve praktike në menaxhimin e incidenteve.

Ky takim, mbështetur nga DCAF, kontribuon në rritjen e gatishmërisë operacionale të infrastrukturave dhe në konsolidimin e një qasjeje të unifikuar për reagimin ndaj incidenteve kibernetike.

“Reagimi ndaj incidenteve kibernetike” – Cybersecurity Talent Club