Përforcimi i Sigurisë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor: Dialog Rajonal për Politikat dhe Bashkëpunimin në Mbrojtjen Digjitale

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës, në bashkëpunim me Observer Research Foundation America dhe Qendrën për Studime mbi Demokracinë dhe Qeverisjen, organizuan një dialog rajonal mbi politikat kibernetike më 20-21 nëntor 2024, në Tiranë, Shqipëri. Ky aktivitet mblodhi 60 pjesëmarrës nga qeveria, biznesi dhe shoqëria civile nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, vende të tjera evropiane dhe ShBA.

Agjenda e takimit trajtoi mënyra për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal në mbrojtjen kibernetike, diplomacinë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturave kritike, luftën kundër krimit kibernetik, ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve përballë dezinformimit dhe koordinimin midis vendeve donatore.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, deklaroi:
“Kërcënimet kibernetike ndaj një pale në Ballkanin Perëndimor janë kërcënime për të gjithë rajonin. Bashkëpunimi i prekshëm rajonal është i domosdoshëm për sigurinë dhe mbrojtjen kolektive të komuniteteve tona në hapësirën kibernetike.”

Maartje Peters, Drejtore për Kërcënimet Dixhitale dhe Hibride pranë MPJ-së së Holandës, tha:
“Duke pasur parasysh gamën e gjerë të aktorëve të nevojshëm për të gjetur zgjidhje dhe për të arritur rezultate në fushën kibernetike, ky dialog shumëpalësh promovon bashkëpunimin e të gjithë shoqërisë për të luftuar kërcënimet kibernetike në Ballkanin Perëndimor.”

Ky dialog ndërtohet mbi rezultatet e takimeve të mëparshme të mbajtura në Shkup, Maqedonia e Veriut, në qershor 2022 dhe shtator 2023, si dhe mbi një takim virtual në prill 2021. Diskutimi i radhës është planifikuar për vitin 2025 për të rishikuar progresin e arritur.

 

Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve/ Tafa: “Është koha që bullizmi kibernetik & format e tjera të ngacmimit online të trajtohen si vepra penale.”