Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një seri takimesh koordinuese me përfaqësues të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, me fokus forcimin e gatishmërisë dhe koordinimit përballë rreziqeve të shtuara kibernetike gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Gjatë takimeve u theksua se periudha festive karakterizohet nga një rritje e ndjeshme e kërcënimeve kibernetike, për shkak të volumit të shtuar të aktiviteteve online. Në këtë kontekst, diskutimet u përqendruan në masat e menjëhershme për monitorim të shtuar të sistemeve, reagim të shpejtë ndaj incidenteve dhe forcim të mekanizmave të shkëmbimit të informacionit në kohë reale.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua ndërgjegjësimit të stafit dhe rritjes së gatishmërisë operacionale gjatë kësaj periudhe, si elementë kyç për parandalimin dhe menaxhimin efektiv të incidenteve kibernetike. Paralelisht, u diskutuan edhe drejtimet kryesore të planit afatmesëm për vitin në vijim, i orientuar drejt forcimit të kapaciteteve institucionale përmes trajnimeve të specializuara dhe rritjes së qëndrueshmërisë kibernetike në nivel kombëtar.
Këto takime përbëjnë një hap konkret në përforcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes aktorëve kryesorë, me qëllim garantimin e sigurisë dhe vazhdimësisë së shërbimeve kritike gjatë festave të fundvitit dhe përgjatë vitit në vijim.
