Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike – Tafa: “Mbrojtja kibernetike është sot themeli i sigurisë kombëtare”

Konferenca e 3-të e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike po zhvillohet në Tiranë më 9–10 tetor 2025, duke mbledhur përfaqësues të lartë politikë, ushtarakë dhe ekspertë të industrisë nga 32 vendet aleate dhe partnere të Aleancës, për të diskutuar mbi forcimin e qëndrueshmërisë kolektive dhe bashkëpunimit në fushën kibernetike.

Në fjalën e tij të hapjes, Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), z. Igli Tafa, theksoi se siguria kibernetike është kthyer në një ndër sfidat më përcaktuese të epokës moderne, duke u shndërruar në shtyllë të sovranitetit kombëtar dhe të mbrojtjes kolektive të Aleancës.

“Siguria kibernetike është bërë një nga sfidat përcaktuese të kohës sonë. Ajo nuk është thjesht një çështje teknike, por një gur themeli i sovranitetit kombëtar, përgjegjësisë së përbashkët dhe stabilitetit demokratik,” deklaroi z. Tafa.
“Në vitet e fundit është bërë gjithnjë e më e qartë se mbrojtja kibernetike nuk është më një shtesë e sigurisë kombëtare,por themeli i saj.”

Kryeministri Edi Rama, ndau përvojën e Shqipërisë në përballimin e sulmeve kibernetike dhe theksoi përkushtimin për të mbrojtur infrastrukturën digjitale të vendit me standardet më të avancuara të sigurisë.

“Sot përballemi me një sulm kibernetik çdo tre minuta, por ja dalim t’i zmbrapsim tërësisht. Shqipëria ka ndërtuar një nga muret më të forta mbrojtëse kibernetike mes vendeve të NATO-s,” u shpreh Kryeministri Rama.

Nëpërmjet një video-mesazhi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Mark Rutte, theksoi se mbrojtja kibernetike është një komponent kyç i sigurisë së përbashkët të Aleancës dhe se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me sfidat e kësaj epoke digjitale.

“Çdo ditë, aktorë shtetërorë dhe jo-shtetërorë veprojnë në hapësirën kibernetike kundër nesh, duke u përpjekur të cënojnë mbrojtjen tonë, të dëmtojnë infrastrukturën kritike, të përgjojnë shoqëritë tona dhe të ndërhyjnë në shërbimet qeveritare,” u shpreh z. Rutte.
“Askush nuk qëndron vetëm në NATO, ne qëndrojmë të bashkuar në këtë epokë digjitale, përballë atyre që synojnë të na dëmtojnë.”

Konferenca e Mbrojtjes Kibernetike e NATO-s 2025 zhvillohet për herë të parë në Shqipëri nën kujdesin e Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, si një platformë strategjike për shkëmbimin e ekspertizës ndërmjet Aleatëve dhe për avancimin e politikave të përbashkëta në mbrojtjen e hapësirës digjitale.
Gjatë dy ditëve të saj, konferenca adreson tema që lidhen me investimet strategjike, rritjen e qëndrueshmërisë, bashkëpunimin publik-privat dhe rolin e NATO-s në vendosjen e standardeve ndërkombëtare të sigurisë kibernetike.

 

         

Nis Maratona Kombëtare Speciale e Sigurisë Kibernetike!