Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), z. Igli Tafa, mori pjesë në panelin “Potencialet e investimeve dhe e ardhmja e sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale në rajon”, organizuar nga CyberFront dhe Evolution Equity Partners, që mblodhi në Tiranë përfaqësues të industrisë globale të teknologjisë, inovacionit dhe investimeve.
Në fjalën e tij, z. Tafa ndau zhvillimet më të fundit të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike dhe vizionin për të ardhmen. Ai theksoi se inteligjenca artificiale tashmë është integruar në institucionet publike, duke shërbyer për të identifikuar cenueshmëritë dhe për të parandaluar deri në 70% të sulmeve kibernetike. Kjo qasje e re po e çon vendin drejt një modeli proaktiv të mbrojtjes, ku kërcënimet parandalohen përpara se të ndodhin.
Drejtori i AKSK-së vuri gjithashtu në dukje rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë kibernetike. Ai prezantoi nismën për ngritjen e një Qendre Kombëtare të Ekselencës për Qëndrueshmëri Digjitale dhe Rezistencë Kuantike, e cila do të shërbejë si një platformë e përbashkët bashkëpunimi për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke kombinuar ekspertizën teknike dhe vizionin strategjik për një hapësirë digjitale të sigurt dhe rezistente.
Këto zhvillime tregojnë se Shqipëria nuk është më vetëm pjesë e dialogut mbi sigurinë kibernetike, por një nga vendet që e udhëheqin atë në rajon, duke e kthyer inovacionin në mburojë dhe bashkëpunimin në burim qëndrueshmërie.
