Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, mori pjesë në aktivitetin “Hack or Treat: Cybersecurity Hackathon”, të organizuar nga Raiffeisen Bank Albania, ku dhjetëra të rinj nga universitete të ndryshme u përfshinë në sfida praktike mbi sigurinë kibernetike dhe inovacionin digjital.
Gjatë fjalës së tij, ai u ndal në nevojën për të ndërtuar një kulturë proaktive ndaj sigurisë kibernetike, duke theksuar se investimi te kapacitetet njerëzore mbetet themeli i çdo sistemi të qëndrueshëm digjital. Ai vuri në dukje se edukimi, trajnimi dhe zhvillimi i aftësive të reja janë elementë kyç për të përballuar dinamikën e kërcënimeve që rriten çdo ditë në hapësirën digjitale.
Duke folur për rolin e AKSK-së në fuqizimin e kapaciteteve kombëtare, ai prezantoi Qendrën Kombëtare të Ekselencës në Sigurinë Kibernetike, një iniciativë që do të shërbejë si pikë referimi për zhvillimin profesional, kërkimin shkencor dhe inovacionin në këtë fushë. Qendra synon të krijojë një urë të fortë bashkëpunimi midis institucioneve publike, universiteteve dhe sektorit privat, për të ndërtuar një ekosistem të qëndrueshëm dhe të integruar në mbrojtjen digjitale të vendit.
Sipas tij, kjo qasje do të mundësojë jo vetëm përgatitjen e ekspertëve të rinj, por edhe krijimin e një baze të qëndrueshme njohurish dhe praktike që do të mbështesë transformimin e Shqipërisë në një vend më të sigurt digjitalisht dhe më konkurrues në rajon.
