Me afrimin e fundit të vitit shkollor, për mijëra fëmijë në Shqipëri fillon një tjetër fazë: ajo e pushimeve të gjata verore, ku koha e lirë rritet, ndërsa prania e teknologjisë bëhet edhe më intensive.
Për shumë prindër, kjo është një periudhë sfiduese: si të krijojnë një ekuilibër mes argëtimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së fëmijës në një botë online që nuk ka kufij fizikë, por ka rreziqe reale.
Teknologjia është pjesë e jetës. Por siguria nuk është automatike.
Fëmijët e sotëm rriten me ekran përpara syve. Lojërat, videot, rrjetet sociale apo aplikacionet edukative janë bërë pjesë e përditshme e tyre. Por kjo nuk e përjashton nevojën për udhëzimin e duhur, mbikëqyrjen dhe edukimin mbi sigurinë digjitale.
Krimet online që shënjestrojnë të miturit – nga cyberbullying, tek kontaktet me të panjohur, videot me përmbajtje të papërshtatshme apo mashtrimet (phishing) të maskuara si lojëra – janë më të përhapura se sa mendojmë.
Si fillon mbrojtja?
- Me komunikim të hapur
Mos u kufizoni në ndalime. Pyetini fëmijët me qetësi:
– Kush janë shokët që ke në lojë?
– Cili është kanali yt i preferuar në YouTube?
Kur krijoni një raport besimi, ata do të ndajnë më shumë. - Me rregulla të qarta dhe të arsyetuara
Vendosni kohë të caktuar për përdorimin e pajisjeve, vendosni se cilat aplikacione lejohen, dhe rishikoni bashkë përmbajtjet që shikojnë. - Me shembull personal
Nëse prindërit janë gjithmonë në telefon, nuk është e lehtë të kërkojnë që fëmija të mos jetë. - Me kontroll të moderuar, jo ndërhyrës
Rishikoni cilat aplikacione përdoren. A kanë reklama? A kërkojnë të dhëna personale?
Shumë aplikacione për fëmijë fshehin forma grumbullimi të të dhënave. - Me vetëdije të vazhdueshme
Edukoni fëmijët mbi rëndësinë e privatësisë, rreziqet e komunikimit me të panjohur dhe mbi pasojat e ndarjes së fotove apo videove pa kujdes.
Roli i institucioneve është kyç, por gjithçka nis në shtëpi.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është i angazhuar për të rritur ndërgjegjësimin mbi sigurinë digjitale, për të ofruar trajnime dhe udhëzime për të gjithë përdoruesit – por prindërit mbeten mbrojtja e parë dhe më e fortë për fëmijët e tyre në botën online.
Prandaj, ndërsa fëmijët janë drejt përfundimit të vitit shkollor dhe përgatiten për pushime, le të kujtojmë:
Argëtimi është i rëndësishëm, por siguria është e domosdoshme.