Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi takimin e katërt të Cybersecurity Talent Club, i cili këtë herë u fokusua në etikën në hacking dhe kufirin mes kuriozitetit teknik dhe përgjegjshmërisë profesionale në fushën e sigurisë kibernetike. Sesioni përfshiu gjithashtu një ushtrim praktik hands-on, ku pjesëmarrësit eksploruan mënyrat e identifikimit dhe analizimit të dobësive në sisteme.
Në fjalën përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm në detyrë i AKSK, Saimir Kapllani, theksoi se përmes Cybersecurity Talent Club, Autoriteti synon të mbështesë zhvillimin e talenteve të reja në sigurinë kibernetike, duke krijuar një hapësirë për shkëmbim idesh dhe bashkëpunim mes të rinjve të interesuar në këtë fushë. Ai inkurajoi pjesëmarrësit që përmes këtyre takimeve të zhvillojnë aftësitë e tyre teknike dhe të eksplorojnë ide inovative që mund të shndërrohen në produkte, projekte apo startup-e që i shërbejnë teknologjisë dhe sigurisë kibernetike.
Takimet e Cybersecurity Talent Club vijojnë të ndërthurin diskutimin teorik me praktikën, duke i orientuar pjesëmarrësit drejt roleve dhe aftësive konkrete në sigurinë kibernetike, si dhe duke nxitur zhvillimin e ideve që mund të shndërrohen në projekte apo startup-e të reja.
AKSK falënderon Startup Albania, ProTik, Piramidën e Tiranës dhe Innovation Hub, për mbështetjen në realizimin e këtij eventi.
