Me ftesë zyrtare nga organizatorët e Forumit Global të Sigurisë Kibernetike (Global Cybersecurity Forum – GCF Annual Meeting 2025), Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, z. Igli Tafa, zhvilloi një vizitë zyrtare në Rijad në Arabinë Saudite, në kuadër të ngjarjes më të rëndësishme botërore në fushën e sigurisë kibernetike, e cila këtë vit u mbajt nën temën “Zhvillimi i bashkërenduar në hapësirën kibernetike”.
Gjatë vizitës, drejtori mori pjesë në dy panele ndërkombëtare të nivelit të lartë, zhvilloi takime dypalëshe me homologët nga Arabia Saudite dhe Omani, diskutoi nxitjen e bashkëpunimit me vendet e tjera të Gjirit, si dhe dakordësoi nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërkombëtare me United States Telecommunications Training Institute (USTTI), duke forcuar më tej rolin e Shqipërisë në ekosistemin global të sigurisë kibernetike.
Shqipëria, rast suksesi në ndërtimin e qëndrueshmërisë digjitale
Në një panel mbi ligjin kibernetik dhe rregullimin e revolucionit teknologjik, z. Tafa ndau përvojën e Shqipërisë në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për sigurinë kibernetike, përmes përafrimit me Direktivën NIS2, miratimit të ligjit të ri për sigurinë kibernetike dhe zbatimit të 21 akteve nënligjore, nga të cilat 16 janë tashmë finalizuar.
Ai theksoi rëndësinë e ndërtimit të një kuadri të qëndrueshëm digjital, të mbështetur në bashkëpunim institucional, zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe përfshirjen e sektorit privat, për të garantuar qëndrueshmëri dhe mbrojtje afatgjatë ndaj rreziqeve në rritje.
Në diskutim, Shqipëria u vlerësua si një histori suksesi, duke u renditur ndër 20 vendet e para në botë për sigurinë kibernetike, sipas Indeksit Global të Sigurisë Kibernetike – një arritje që pasqyron reformat ligjore dhe institucionale të ndërmarra në vitet e fundit.
Qasja e Shqipërisë ndaj barazisë gjinore në fushën kibernetike
Në panelin kushtuar fuqizimit të grave në sigurinë kibernetike, drejtori i AKSK-së nënvizoi nevojën për veprim të menjëhershëm dhe të matshëm, përmes ndërtimit të rrugëve të qarta nga arsimi te lidershipi, përfshirjes së indikatorëve gjinorë në strategjitë kombëtare, si dhe krijimit të mjediseve pune fleksibël dhe të sigurta.
Ai nënvizoi se barazia gjinore duhet të trajtohet si shtyllë thelbësore e sigurisë kibernetike globale, duke theksuar se vetëm përmes veprimit të koordinuar dhe përgjegjës mund të arrihet qëndrueshmëri dhe gjithëpërfshirje reale në këtë sektor strategjik.
Bashkëpunime të reja me Arabinë Saudite dhe Omanin
Në kuadër të forumit, drejtori zhvilloi takime zyrtare dypalëshe me homologët e tij nga Mbretëria e Arabisë Saudite dhe Shteti i Omanit, ku u diskutuan nisma konkrete bashkëpunimi dhe projekte të përbashkëta për forcimin e kapaciteteve kombëtare në fushën e sigurisë kibernetike.
Në takimin me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Mbretërisë së Arabisë Saudite (NCSA), z. Tafa prezantoi dy projekte konkrete bashkëpunimi:
- ngritjen e Qendrës Kombëtare të Ekselencës për Sigurinë Kibernetike, me asistencën e NCSA-së;
- krijimin e Qendrës së Monitorimit, Reagimit dhe Menaxhimit të Incidenteve Kibernetike për sektorin e Shëndetësisë në Shqipëri.
Pala saudite shprehu gatishmërinë për të formalizuar bashkëpunimin përmes një plani konkret veprimi dhe për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve.
Në takimin me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike të Shtetit të Omanit, u prezantua projekti për ngritjen e një platforme të përbashkët trajnimi, për rritjen e kapaciteteve profesionale në sektorët publik dhe privat. Palët ranë dakord të vijojnë me nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi, që do të formalizojë këtë partneritet.
Zgjerimi i bashkëpunimit me vendet e tjera të Gjirit
Gjatë qëndrimit në Rijad, drejtori zhvilloi takime edhe me përfaqësues të Katarit, Kuvajtit dhe Bahreinit, me fokus në:
- zhvillimin e kapaciteteve për përballjen e rreziqeve që burojnë nga Inteligjenca Artificiale dhe Kompjuterët Kuantikë, dhe
- ndërtimin e një shtrese mbrojtëse kundër rreziqeve kuantike (Quantum Resistance Layer) për infrastrukturat kritike kombëtare.
Këto takime hapën rrugën për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal dhe krijimin e partneriteteve të reja teknologjike dhe institucionale në mbështetje të qëndrueshmërisë digjitale.
Nënshkrimi i marrëveshjes me United States Telecommunications Training Institute (USTTI)
Në vijim të takimit ndërmjet drejtorit të përgjithshëm të AKSK-së dhe drejtorit ekzekutiv të USTTI, u dakordësua nënshkrimi i një Marrëveshjeje Mirëkuptimi (MoU) për forcimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike, përmes zhvillimit të programeve të trajnimit, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe ndarjes së përvojave profesionale.
Në përputhje me misionin global të USTTI, AKSK do të shërbejë si një rast suksesi dhe shembull bashkëpunimi ndërkombëtar, duke ndarë eksperiencën e saj me vendet në Amerikën Latine dhe Afrikë.
Shqipëria në fokusin e mediave ndërkombëtare
Gjatë forumit, drejtori i AKSK-së ishte gjithashtu pjesë e një serie intervistash për media ndërkombëtare, ku ndau vizionin e Shqipërisë për ndërtimin e një ekosistemi të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues në sigurinë kibernetike, duke theksuar rolin në rritje të vendit në skenën globale.
Përmes këtyre angazhimeve, Shqipëria riafirmoi rolin e saj si partner i besueshëm dhe kontribuues në agjendën ndërkombëtare të sigurisë kibernetike, duke avancuar bashkëpunimin rajonal dhe ndërinstitucional për forcimin e qëndrueshmërisë digjitale.