CyberPulse 2025/ Igli Tafa propozon krijimin e një Komiteti të Përbashkët Këshillimor për Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor

Në konferencën rajonale CyberPulse 2025, të organizuar në Podgoricë nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Komisioni Europian dhe WB3C, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, z. Igli Tafa, paraqiti një propozim konkret për forcimin e bashkëpunimit rajonal në sigurinë digjitale.

Ai sugjeroi krijimin e një Komiteti të Përbashkët Këshillimor, me pjesëmarrje nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të funksionojë në dy nivele:
Strategjik – për të trajtuar diplomacinë kibernetike, me fokus te rastet e sulmeve të organizuara dhe harmonizimi me ligjet dhe standardet e BE-së.
Teknik – për shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet, përditësimet e sigurisë dhe ngritjen e ekipeve të përbashkëta për reagim ndaj incidenteve.

Komiteti do të ketë drejtim rotativ dhe do të bazohet në Masat për Ngritjen e Besimit në nivel rajonal të ngjashme me iniciativat e ndërmarra nga shtetet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me ekspertë të sektorit privat.
Duhet të mendojmë dhe të veprojmë së bashku, mbi baza konkrete dhe me plane të qarta. Përndryshe, secili do të mbetet në ishullin e vet,”– theksoi z. Tafa, duke nxitur akoma edhe me shumë RCC-në në ndërmarrjen e hapave konkrete drejt realizimit të kësaj nisme.

CyberPulse 2025 mblodhi në një platformë të përbashkët politikëbërës, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit nga Ballkani Perëndimor, për të ndarë përvoja, forcuar qëndrueshmërinë digjitale dhe adresuar sfidat në rritje të sigurisë kibernetike përmes bashkëpunimit rajonal.

AKSK Zhvillon Aktivitet Ndërgjegjësues me Komunitetin Rom në Elbasan