Në kuadër të nismave për forcimin e kulturës së sigurisë digjitale në institucionet arsimore, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) zhvilloi një trajnim mbi “Mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë kibernetike” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.
Aktiviteti kishte për qëllim rritjen e njohurive dhe ndërgjegjësimit të personelit akademik dhe ndihmës-akademik mbi mbrojtjen e informacionit, respektimin e kuadrit ligjor dhe menaxhimin e rreziqeve që vijnë nga hapësira kibernetike.
Në këtë kuadër, eksperti i AKSK, Ervis Qose, prezantoi praktika konkrete për përdorimin e sigurt të teknologjisë, identifikimin e kërcënimeve digjitale dhe rëndësinë e respektimit të standardeve për mbrojtjen e të dhënave personale.
Gjatë sesionit u zhvilluan diskutime interaktive mbi sfidat që lidhen me sigurinë në mjedisin akademik dhe mënyrat për të ndërtuar një qasje të qëndrueshme ndaj sigurisë kibernetike.
Ky bashkëpunim përbën një hap të mëtejshëm në angazhimin e AKSK për edukim, ndërgjegjësim dhe ngritje kapacitetesh në fushën e sigurisë kibernetike, si pjesë e përpjekjeve për të ndërtuar një ekosistem më të sigurt dhe të përgjegjshëm digjital në Shqipëri.

