Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) vijon me përkushtim misionin e tij për forcimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë kibernetike. Në kuadër të këtij angazhimi, u zhvillua një tjetër trajnim teknik me platformën e avancuar SimSpace, e cila mundëson simulimin realist të sulmeve kibernetike në një mjedis të kontrolluar.
Ky trajnim i dedikuar ishte i fokusuar tek ekspertët e sigurisë kibernetike nga Infrastrukturat Kritike dhe të Rëndësishme të Informacionit, të cilët përfaqësojnë një nga segmentet më të ndjeshme për sigurinë digjitale në vend.
Ekspertët e AKSK udhëhoqën procesin trajnues, duke ofruar mbështetje teknike dhe metodologjike gjatë zhvillimit të skenarëve të simulimit. Pjesëmarrësit patën mundësinë të analizojnë dhe testojnë mënyrat e reagimit ndaj incidenteve reale kibernetike, të vlerësojnë nivelin e mbrojtjes dhe të identifikojnë hapësirat për përmirësim.
Ky trajnim përfaqëson një tjetër hap konkret drejt ndërtimit të një rrjeti të qëndrueshëm dhe të përgatitur të profesionistëve, të cilët janë të aftë të përballen me sfidat komplekse të sigurisë kibernetike dhe të garantojnë integritetin e sistemeve kritike që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e jetës publike, ekonomike dhe institucionale të vendit.
AKSK do të vijojë me organizimin e aktiviteteve të tilla trajnuese, duke forcuar bashkëpunimin me institucionet publike dhe aktorët kyç të fushës, për të ndërtuar një infrastrukturë të fortë dhe të qëndrueshme për mbrojtjen e hapësirës digjitale.