Shqipëria forcon kuadrin ligjor dhe strukturat e sigurisë kibernetike, në përmbushje të angazhimeve të Agjendës Kombëtare të Reformave 2024-2027.
Në zbatim të hapit 2 të Reformës 3.1.2 “Përditësimi i kuadrit rregullator për sigurinë kibernetike, duke prezantuar kërkesat e Direktivës NIS2 dhe duke forcuar institucionet përkatëse”, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka forcuar kuadrin ligjor, strukturat dhe kapacitetet për të garantuar mbrojtje kibernetike më të fortë për infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit dhe qytetarët.
Funksionalizimi i plotë i SOC dhe CSIRT Kombëtar dhe forcimi i kapaciteteve të tyre përmes implementimit të platformave dhe mjeteve teknike të avancuara si dhe plotësimit me staf profesional, rrit ndjeshëm aftësinë për monitorim, parandalim dhe reagim ndaj incidenteve kibernetike, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve kritike publike dhe private, dhe mbrojtjen e interesit qytetar. Për të mundësuar funksionimin e plotë të CSIRT Kombëtar, janë miratuar 20 akte nënligjore duke përmbyllur kornizën ligjore për implementimin e ligjit nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike” i përafruar në nivel të lartë me Direktivën NIS2.
Kjo masë kontribuon në ndërtimin e një shoqërie digjitale të sigurt, në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
Realizimi i kësaj mase u zhvillua në kuadër të Agjendës së Reformave të Shqipërisë mbështetur nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, dhe e afron Shqipërinë një hap më pranë Bashkimit Evropian.




