Me rifillimin e vitit të ri shkollor, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka nisur sërish aktivitetet ndërgjegjësuese në shkolla, duke vijuar punën për mbrojtjen online të fëmijëve dhe të rinjve. Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF), AKSK organizoi këtë herë një takim ndërgjegjësues me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ahmet Zogu” në Kamëz.
Nga janari i këtij viti, rreth 600 fëmijë nga 13 shkolla në të gjithë vendin kanë qenë pjesë e këtyre aktiviteteve. Aktiviteti synon rritjen e ndërgjegjësimit për përdorimin e sigurt të internetit dhe teknologjisë, duke udhëzuar fëmijët dhe të rinjtë për të lundruar me kujdes në hapësirën digjitale, duke përfituar nga teknologjia, por njëkohësisht duke shmangur rreziqet potenciale online.
AKSK do të vijojë me këto takime përgjatë gjithë vitit shkollor, duke ndihmuar më shumë nxënës të ndërgjegjësohen dhe të mbrohen në botën digjitale. Këto leksione janë një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj.