Shqipëria mirëpret vizitën e parë zyrtare të Qendrës Evropiane për Ekselencë në Trajtimin e Kërcënimeve Hibride

Sot, më 22 tetor 2024, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) mirëpriti përfaqësuesit e Qendrës Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE) në vizitën e tyre të parë zyrtare në Shqipëri. Kjo vizitë pason anëtarësimin e Shqipërisë në Hybrid CoE më 13 qershor 2024, duke e bërë vendin tonë anëtarin e 36-të të kësaj qendre. Anëtarësimi përfaqëson një angazhim të Shqipërisë për të përballuar sfidat e kërcënimeve hibride dhe për të zgjeruar bashkëpunimin me vendet aleate të NATO-s dhe BE-së.

Qëllimi i vizitës ishte prezantimi i aktiviteteve të Hybrid CoE dhe shkëmbimi i përvojave për përballimin e kërcënimeve hibride, përfshirë dezinformimin, ndërhyrjet kibernetike dhe sabotazhin. Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu mënyrat për rritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit publik mbi kërcënimet hibride, duke forcuar kështu mbrojtjen kombëtare ndaj këtyre sfidave globale.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, Z. Igli Tafa, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi:
“Kërcënimet hibride janë një realitet i ri që përfshin sfida të tilla si dezinformimi dhe sabotazhi. Shqipëria do të përfitojë ndjeshëm nga anëtarësimi në Hybrid CoE, duke pasur qasje në ekspertizën më të mirë ndërkombëtare dhe duke forcuar aftësitë tona për të adresuar këto kërcënime që përhapen ndërkombëtarisht. Ky bashkëpunim do të ndihmojë gjithashtu në zhvillimin e talenteve të reja dhe në përmirësimin e strategjive tona mbrojtëse.”

Z. Tapio Pyysalo, Kreu i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Hybrid CoE, shtoi:
“Shqipëria ka një bazë të fortë dhe ekspertizë të konsiderueshme në fushën e sigurisë kibernetike. Ne jemi të kënaqur që po e zgjerojmë këtë bashkëpunim dhe po ndërtojmë kapacitete të reja për të adresuar kërcënimet hibride, duke përfshirë rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përgatitjen e institucioneve për sfidat e ardhshme.”

Anëtarësimi i Shqipërisë në Hybrid CoE është një mundësi strategjike për të forcuar kapacitetet kombëtare, për të qasur ekspertizën ndërkombëtare dhe për të përfituar nga bashkëpunimet e përbashkëta për sigurinë hibride. Ky bashkëpunim strategjik pozicionon Shqipërinë si një aktor të rëndësishëm në fushën e sigurisë hibride, duke kontribuar në mbrojtjen e interesave kombëtare në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar

Zhvillohet Konferenca Kombëtare e Sigurisë Kibernetike – AKSK prezanton arritjet e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike
AKSK