Pjesëmarrës në Konferencën Ndërkombëtare për Sigurinë Kibernetike RSAC 2024

Në datat 6-9 Maj në San Francisco, Kaliforni u organizua Konferenca RSAC 2024, në të cilën morën pjesë 40 000 ekspertë të sigurisë kibernetike nga e gjithë bota dhe rreth 500 kompani në fushën e sigurisë kibernetik dhe teknologjisë së informacionit.

Në kuadër të kësaj konference u mbajt edhe takimi i 11 i Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë Kibernetike ICSF, i cili bashkoi mbi 70 delegatë qeveritarë nga më shumë se 35 vende dhe organizata ndërkombëtare për të diskutuar mbi rreziqet dhe çështjet më urgjente të sigurisë kibernetike që po përballen shtetet. AKSK në këtë takim u përfaqësua nga Drejtori i Drejtorisë së Qeverisjes Kibernetike, Riskut dhe Kontrollit, Z. Saimir Kapllani i cili ndau me të pranishmit hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për përballimin e sulmeve kibernetike si dhe sfidat me të cilat po përballet vendi ynë.

Për herë të parë në histori, ky forum u përshëndet nga Sekretari Amerikan i shtetit Z. Antony Blinken, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e solidaritetit digjital dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat për të krijuar një ekosistem kibernetik të qëndrueshëm dhe të sigurt.

“Qëndrimi krah për krah me partnerët dhe aleatët për të avancuar në një vizion të përbashkët për një ekosistem teknologjik që respekton të drejtat, inovativ dhe të sigurt është një domosdoshmëri bazë” theksoi Sekretari i Shtetit.

Gjatë ditëve të aktivitetit Z. Kapllani realizoi takime me drejtues të agjencive të sigurisë kibernetike të shteteve të ndryshme, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, operatorë ekonomik si dhe me Z. Eric Goldstein, asistent i Drejtorit Ekzekutiv të CISA. Gjatë takimit me këtë të fundit u diskutua për rritjen e bashkëpunimit midis dy institucioneve në kuadër të ndarjes së informacioneve për kërcënimet kibernetike, asistencë për menaxhimin e incidenteve si dhe rritjen e kapaciteteve me qëllim mbrojtjen e infrastrukturave kritike.

     
Një Cyber Drill i Suksesshëm Falë Ekspertëve Të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike