Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) mori pjesë në eventin ‘Dita e Sigurisë Kibernetike’, të organizuar nga Microsoft dhe Soft & Solution, ku u diskutuan sfidat dhe strategjitë për mbrojtjen e infrastrukturave kritike në Shqipëri. Drejtori i AKSK, Igli Tafa, prezantoi masat konkrete të ndërmarra nga Shqipëria për forcimin e sigurisë, duke nënvizuar rëndësinë e ligjit të ri për sigurinë kibernetike, i cili përafron vendin tonë me Direktivën NIS 2 të Bashkimit Europian. Ky ligj krijon një kuadër të qartë për menaxhimin e rreziqeve dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sistemeve ndaj kërcënimeve në rritje.
Me identifikimin e 289 infrastrukturave kritike dhe zgjerimin e tyre për shkak të zgjerimit të digjitalizimit të shërbimeve, nevoja për masa më të forta mbrojtëse dhe investime të vazhdueshme në sigurinë kibernetike është më e madhe se kurrë. Gjatë eventit, u theksua rëndësia e bashkëpunimit midis institucioneve publike dhe aktorëve kryesorë të industrisë, ku AKSK dhe AKSHI ndanë përvojat e tyre mbi zbatimin e politikave të sigurisë dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Bashkëpunimi me Microsoft dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë luan një rol kyç në fuqizimin e kapaciteteve teknologjike, rritjen e mbrojtjes ndaj kërcënimeve kibernetike dhe zbatimin e standardeve më të larta të sigurisë.
Një ndër sfidat kryesore mbetet zhvillimi i kapaciteteve njerëzore. Për këtë arsye, AKSK po zbaton një strategji të qartë për trajnimin e operatorëve të infrastrukturave kritike dhe përgatitjen e specialistëve të rinj, me synimin për të ndërtuar një bazë të fortë ekspertësh që mund të adresojnë sfidat e sigurisë në të ardhmen.
Siguria kibernetike është një proces i vazhdueshëm që kërkon një qasje të koordinuar dhe bashkëpunim afatgjatë. AKSK mbetet e përkushtuar për forcimin e mbrojtjes së infrastrukturave kritike, duke punuar me institucionet shtetërore dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar një hapësirë digjitale të sigurt dhe të qëndrueshme për Shqipërinë.