Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-93616 – Check Point Security Management Lexo më shumë →
Të Reja

Dezinformimi dhe ndërhyrjet e huaja, në qendër të workshop-it të AKSK-së me Hybrid CoE

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me Qendrën Evropiane të Ekselencës për Trajtimin e Kërcënimeve Hibride (Hybrid CoE), organizoi workshop-in “Hybrid Threats in Albania”, me fokus dezinformimin, ndërhyrjet e huaja dhe ndikimin e tyre në Shqipëri. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve, ekspertë, gazetarë dhe profesionistë të komunikimit për të diskutuar ndërthurjen e kërcënimeve kibernetike me manipulimin e informacionit dhe përgjigjen e koordinuar ndaj tyre.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së dhe Koordinatori Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, theksoi se incidentet kibernetike shpesh shoqërohen me dezinformim që synon të cenojë besimin e publikut te institucionet. Duke iu referuar rasteve të fundit, ai përmendi manipulimin e videove dhe fotografive me inteligjencë artificiale, si dhe përhapjen e lajmeve të rreme, duke nënvizuar rëndësinë që profesionistët e medias të njohin mënyrat e dezinformimit dhe lidhjen e tyre me ndërhyrjet e mundshme të huaja. Kazia nënvizoi se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për në BE, po forcon kapacitetet mbrojtëse, përfshirë ekipet e dedikuara për analizimin e informacionit nga burimet e hapura.

Martha Turnbull, drejtuese e Komunitetit të Interesit për Ndikimin Hibrid në Hybrid CoE, theksoi se Shqipëria, ashtu si vendet e tjera evropiane, përballet me kërcënime hibride që shënjestrojnë mjedisin informativ, veçanërisht përmes dezinformimit. Ajo nënvizoi se strategjitë, legjislacioni dhe koordinimi ndërinstitucional duhet të shoqërohen me përfshirjen e medias, shoqërisë civile dhe organizatave joqeveritare, për të rritur aftësinë e përbashkët për identifikimin dhe përballimin e këtyre kërcënimeve.

Gjatë panelit të diskutimit, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, u ndal te verifikimi i shpejtë i informacionit, komunikimi i besueshëm me qytetarët për integrimin evropian dhe bashkëpunimi me NATO-n, BE-në dhe Hybrid CoE. Ajo theksoi nevojën për koordinim të përditshëm institucional përballë manipulimeve të huaja. Nga perspektiva e medias, kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, nënvizoi rëndësinë e edukimit mediatik dhe verifikimit të burimeve, duke prezantuar edhe bashkëpunimin e AMA-s me platformat TikTok dhe X për raportimin e përmbajtjeve dëmtuese.

Programi vijoi me prezantime dhe raste studimore mbi kërcënimet hibride dhe dezinformimin, si dhe me trajtimin e manipulimit të informacionit gjatë proceseve zgjedhore nga ekspertët e Hybrid CoE. Një ushtrim interaktiv u dha pjesëmarrësve mundësinë të diskutonin identifikimin e këtyre kërcënimeve dhe mënyrat e reagimit ndaj tyre.

   

Shpërndaj Postimin