Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-93616 – Check Point Security Management Lexo më shumë →
Lajme

AKSK hap aplikimet për Maratonën Rajonale të Sigurisë Kibernetike për Vajza dhe Gra 2026

Gati për të zhvilluar më tej aftësitë e tua në sigurinë kibernetike, për t’u përballur me sfida praktike dhe për t’u lidhur me vajza dhe gra ambicioze nga i gjithë rajoni?

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka hapur thirrjen për aplikime për Western Balkans Cybersecurity Marathon for Girls & Women 2026, e cila u drejtohet vajzave dhe grave nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Gjatë Maratonës, pjesëmarrëset do të përfshihen në sesione interaktive trajnimi, laboratorë praktikë dhe sfida të sigurisë kibernetike, të zhvilluara përmes një platforme të dedikuar online. Programi synon t’u japë pjesëmarrëseve përvojë praktike, të forcojë aftësitë e tyre teknike dhe t’i bëjë pjesë të një komuniteti rajonal të vajzave dhe grave të reja të interesuara për zhvillimin e një karriere në sigurinë kibernetike. Në përfundim të Maratonës, pjesëmarrëset që do të arrijnë rezultatet më të larta do të shpërblehen me çmime.

Maratona është e hapur për vajza dhe gra të moshës 16–26 vjeç, të cilat janë studente, të sapodiplomuara ose në hapat e parë të karrierës në sigurinë kibernetike, teknologjinë e informacionit, shkencat kompjuterike, inxhinierinë kompjuterike, telekomunikacionin apo fusha të ngjashme.

Ky është edicioni i dytë i Maratonës, një nismë e nisur nga AKSK në vitin 2025 me fokus te fuqizimi dhe përfshirja e vajzave dhe grave të reja në sigurinë kibernetike. Pas edicionit të parë, këtë vit nisma zgjerohet në nivel rajonal, duke përfshirë pjesëmarrëse nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Afati i aplikimit: 12 tetor 2026.
Apliko këtu: https://forms.cloud.microsoft/e/6GALVrfZiR?origin=lprLink

Shpërndaj Postimin