Njihuni me ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në ECSC 2026!
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka përmbyllur procesin e përzgjedhjes së ekipit kombëtar që do të përfaqësojë Shqipërinë në European Cyber Security Challenge (ECSC) 2026, një nga kompeticionet më të rëndësishme evropiane për talentet e reja në sigurinë kibernetike
ECSC është një iniciativë e Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA), e mbështetur nga Komisioni Evropian dhe e organizuar çdo vit në bashkëpunim me vendin pritës. Kompeticioni bashkon ekipet kombëtare të përbëra nga talentet më të mira të moshës 14–25 vjeç, të cilat testojnë njohuritë, aftësitë teknike dhe punën në grup përmes sfidave në fusha si kriptografia, siguria e aplikacioneve web, reverse engineering, forensics, pwn dhe disiplina të tjera të sigurisë kibernetike.
Si organizator kombëtar për Shqipërinë, AKSK zhvilloi dhe koordinoi të gjitha fazat kualifikuese, në përfundim të të cilave u përzgjodhën 10 finalistët e Team Albania. Përzgjedhja u bazua në rezultatet e arritura, vlerësimin e trajnerëve dhe ndërthurjen e aftësive të nevojshme për një ekip të balancuar.
Nga data 12 deri më 16 tetor 2026, ekipi shqiptar do të garojë në Bochum të Gjermanisë përballë ekipeve kombëtare nga Europa, duke përfaqësuar talentin dhe potencialin e të rinjve shqiptarë në sigurinë kibernetike.
Për më shumë informacion rreth ekipit, trajnerëve, fazave kualifikuese dhe ECSC 2026: ecsc.al