Zhvillohet trajnim mbi Higjienën Kibernetike me punonjësit e Bashkisë Elbasan

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një trajnim për Higjienën Kibernetike me punonjësit e Bashkisë Elbasan, duke vijuar serinë e aktiviteteve të ngjashme që po realizohen në bashki të ndryshme të vendit. Ky trajnim synon pajisjen e punonjësve të administratës publike me njohuritë dhe praktikat më të mira për shmangien e rreziqeve kibernetike dhe mbrojtjen e informacionit brenda institucioneve.

Drejtori i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi se çdo punonjës është një hallkë kyçe në zinxhirin e sigurisë kibernetike kombëtare dhe se përkushtimi ndaj higjienës digjitale është thelbësor për mbrojtjen e të dhënave sensitive. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, vlerësoi ndikimin e këtyre masave në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, duke shtuar se një administratë që i kushton rëndësi sigurisë digjitale është më e aftë të ofrojë shërbime të besueshme, të shpejta dhe të sigurta, duke rritur besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Ky trajnim përfaqëson një hap të mëtejshëm drejt ndërtimit të një administrate publike më të qendrueshme dhe të përgatitur për sfidat e sigurisë kibernetike, duke garantuar që të dhënat e qytetarëve të trajtohen me kujdesin dhe sigurinë që meritojnë.

AKSK dhe ERE – marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike nga kërcënimet kibernetike