WOMEN IN TECH

Në kuadër të muajit të sigurisë kibernetike, Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), në bashkëpunim me institucione dhe organizata të tjera në Shqipëri, që mbeshtesin nisma të tilla, organizuan në datën 21 Tetor 2019, konferencën “WOMEN IN TECH”.

Duke pasur në thelb gruan dhe karrierën e saj, konferenca trajtoi tri tema të ndryshme: 1) She Leads Tech, 2) Women4Tech Initiatives dhe 3) Growing in the cyber ecosystem.
Në të treja këto sesione ndanë këshilla dhe rrëfyen rrugëtimin e tyre, shumë gra të suksesshme në karrierë si znj.Vilma Tomço, znj. Edlira Muhedini, znj. Miranda Harizaj, znj. Anila Hoxha, znj. Hatixhe Bilibashi, znj. Arlinda Mujo, znj. Xhenina Pashaj, znj. Anxhela Neli, D3c0ders, znj. Zoica Doko dhe Simona Petrozzi. Një fjalim shumë origjinal mbajti edhe profesori Rezart Prifti, i cili ishte i vetmi folës mashkull në panel.

Qëllimi i eventit ishte motivimi dhe këshillimi i pjesëmarrësve për zhvillimet në fushën e teknologjisë së informacionit, në veçanti studentët dhe profesionistët e rinj. Znj.Vilma Tomço, Drejtoresha e përgjithshme e AKCESK, tha se ka një rritje të numrit të vajzave dhe grave në sigurinë kibernetike. Kjo sipas saj, po ndodh sepse gratë janë të dedikuara ndaj punës, janë ambicioze dhe kurioze si natyrë, dhe padyshim gratë mund të bëjnë shumë punë në të njëjtën kohë.

Një mesazh për të gjitha gratë lidhur me kibernetikën, ndau Znj. Miranda Harizaj, CEO e WIT Albania. Ajo tha se:“Femra është një forcë e madhe në të gjitha fushat, pse jo të mos jetë edhe në fushën e kibernetikës”. Ajo doli në mbështetje të të gjitha grave, të cilat po drejtojnë në mënyrë të mrekullueshme, poste që deri dje njiheshin si “poste meshkujsh”.

Arlinda Muja, nga Kredo.al tha se sot 30 vite nga rrëzimi i komunizmit, situata ka ndryshuar pasi inovacioni ka ecur me ritme të shpejta në vendin tonë. Arlinda tha se 63% e shqiptarëve sot janë përdorues të internetit. Gratë sot janë vendimarrëse dhe kanë një rol të fuqishëm lidershipi në politikë, institucione, media, biznes, shoqëri civile. “Sot 18 vjet pas diplomimit tim, drejtimin e kompanisë Fintech të Mikrofinancës, Kredo. Al e shoh si vazhdimësi të një rrugëtimi të sukseshëm që më bën të ndihem e plotësuar dhe e realizuar në qëllimet e mia profesionale”. Por, gjithë ky rrugëtim drejt suksesit padyshim që nuk ka qenë aq i lehtë. Arlinda theksoi se në Kredo.al, rreth 71% e kompanisë dominohet nga femrat, ndërsa në ekipin menaxherial ka një staf me 100% femra. Ndaj, suksesin e kompanisë së saj ua dedikon femrave.

Ajo ndau me të pranishmit disa këshilla të rëndësishme:
Mos synoni që në 10 vitet e para të punës të merrni poste drejtuese. Këto 10 vite shfrytëzojini për të mësuar gjëra të reja.
Mos jini vetëm një IT. Sa më shumë të njihni komponentët e biznesit ku jeni të punësuar, aq më i lehtë do të jetë suksesi dhe zhvillimi juaj profesional.
Çdo ide që jepni, duhet ta jepni me një strategji.
“E ardhmja u përket inovacionit dhe grave drejtuese. Koha është në avantazhin tuaj. Unë jam e bindur që do t ia dilni. Prandaj, mos u ndalni”.
Po ashtu, fjalime ku rrëfyen historitë e tyre të suksesit mbajtën edhe Xhenina Pashaj themeluese e Code IT, Anxhel Neli nga komuniteti SPI dhe D3c0ders me Gjejzën.

Nga Vodafon Albania ishte e pranishme Zoica Doko, e cila referoi mbi temën “Frika e pasigurisë”. Sipas Zoicës, “Nëse një gjë është e panjohur përballuni me të. Mund të dështoni por gjejeni forcën të ngriheni dhe kështu do të kuptoni se siguria është pjesë e të gjithëve”.
Rezart Prifti theksoi gjatë fjalës së tij në panel se dhuna ndaj grave bëhet pengesë për karrierën e tyre.

“Së bashku për një internet më të mirë”
AKSK