Gjatë pushimeve verore, përdorimi i teknologjisë nga fëmijët rritet ndjeshëm. Mungesa e angazhimeve shkollore dhe disponueshmëria më e madhe e kohës së lirë bëjnë që pajisjet digjitale – telefonat, tabletët dhe kompjuterët – të bëhen pjesë e përditshme e jetës së tyre. Si rezultat, rreziku i ekspozimit ndaj kërcënimeve kibernetike shtohet dukshëm.
Përveç bullizmit, një tjetër rrezik i përhapur është kontakti me persona të panjohur, zakonisht përmes profileve të rreme dhe me qëllime mashtruese apo keqdashëse. Këto ndërveprime shpesh fillojnë në mënyrë të padëmshme, por më pas përshkallëzohen në kërkesa për informacione personale ose përmbajtje të ndjeshme.
Gjatë kësaj periudhe shtohet edhe mundësia që fëmijët të hasin përmbajtje të papërshtatshme, qoftë përmes klikimeve të pavetëdijshme, qoftë përmes reklamave apo lidhjeve mashtruese të vendosura në platformat digjitale që ata përdorin. Shumë aplikacione dhe faqe interneti nuk ofrojnë filtra efektivë për të mbrojtur përdoruesit e mitur nga kjo lloj përmbajtjeje.
Nga ana teknike, mungesa e konfigurimeve të përshtatshme të sigurisë në pajisjet që përdorin fëmijët është një faktor kritik që shpesh neglizhohet. Pajisjet pa kontrolle prindërore të aktivizuara, pa filtrime të përmbajtjes dhe pa përditësime të rregullta të softuerit mund të bëhen të prekshme ndaj sulmeve, instalimit të aplikacioneve të rrezikshme apo përdorimit të rrjeteve të pasigurta që mund të komprometojnë të dhënat personale.
Prindërit luajnë një rol thelbësor në krijimin e një mjedisi të sigurt digjital. Kjo nuk nënkupton ndalimin e përdorimit të teknologjisë, por kërkon marrjen e masave konkrete si: aktivizimi i kontrolleve prindërore në pajisje dhe aplikacione, përdorimi i rrjeteve të sigurta Wi-Fi, monitorimi i aktivitetit online të fëmijëve dhe vendosja e kufijve të qartë për kohëzgjatjen e përdorimit të ekraneve.
Duke qëndruar të informuar dhe të angazhuar, prindërit mund të ndihmojnë fëmijët të zhvillojnë zakone të sigurta dhe të ndërgjegjshme për sjelljen në internet – edhe gjatë periudhave të pushimit.