Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-109619 – Remote Code Execution (PHP2Shell) Lexo më shumë →
Të Reja

Siguria kibernetike përtej kërkesave ligjore: gatishmëria matet me vazhdimësinë e shërbimeve

Përmbushja e kërkesave ligjore për sigurinë kibernetike merr vlerë kur shoqërohet me aftësinë për të parandaluar incidentet, për të reaguar në kohë dhe për të ruajtur funksionimin e shërbimeve thelbësore. Kjo ishte çështja qendrore e panelit “Përtej pajtueshmërisë: A jemi vërtet të përgatitur?”, pjesë e Konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike më 3 nëntor 2026, në Tiranë.

Në panel morën pjesë Enkelejda Muçaj, zëvendësministre e Infrastrukturës dhe Energjisë; Barna Levente Kutvolgyi, Drejtor i Përgjithshëm i ONE Albania; Reglendi Xhango, Kryetar i Ekipit të Gatishmërisë për Emergjencat Kibernetike pranë Shoqatës Shqiptare të Bankave; dhe Esmeralda Kazia, Drejtore e Teknologjisë në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare, me moderimin e Irma Drobonikut, zëvendësdrejtore e Përgjithshme e AKSK-së.

Përvojat nga telekomunikacioni, sistemi financiar dhe energjia nxorën në pah ndërvarësinë e shërbimeve kritike dhe nevojën për një qasje të koordinuar ndaj rrezikut. Një incident që prek një operator mund të ketë pasoja për sektorë të tjerë, duke ndikuar në aktivitetin ekonomik, jetën e përditshme të qytetarëve dhe besimin te shërbimet. Për këtë arsye, zbatimi i standardeve duhet të mbështetet nga investime të orientuara sipas rrezikut, ekipe të përgatitura dhe plane reagimi e rikuperimi të testuara.

Zëvendësministrja Enkelejda Muçaj e lidhi sigurinë kibernetike me qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe funksionimin e rrjeteve mbi të cilat mbështeten shërbimet. Ajo vlerësoi bashkëpunimin me AKSK-në në procesin e përafrimit dhe zbatimit të legjislacionit europian, duke theksuar se standardet duhet të bëhen pjesë e veprimtarisë së përditshme të institucioneve dhe operatorëve.

Sipas Muçajt, gatishmëria është një proces i vazhdueshëm, që ndryshon së bashku me kërcënimet dhe aftësitë e aktorëve keqdashës. Planet e veprimit duhet të zbatohen, të rishikohen dhe të përmirësohen, ndërsa kapacitetet duhet të jenë në dispozicion të të gjithë sektorëve, publikë dhe privatë. Ajo ritheksoi mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për këtë proces, me objektiv ruajtjen e vijueshmërisë së shërbimeve për qytetarët dhe bizneset, edhe në situata krize.

Për sektorin e telekomunikacionit, Barna Levente Kutvolgyi theksoi përgjegjësinë që buron nga roli i komunikimeve elektronike në funksionimin e ekonomisë. Varësia e shërbimeve bankare dhe e shumë veprimtarive të tjera nga këto rrjete e bën mbrojtjen e tyre një çështje që përfshin të gjithë organizatën dhe drejtimin e saj.

Përvoja e ONE Albania në reagimin ndaj kërcënimeve ilustroi rëndësinë e përfshirjes së drejtuesve nga fusha të ndryshme të biznesit, bashkëpunimit me ekspertët e AKSK-së dhe marrjes së vendimeve në kohë. Kutvolgyi evidentoi se shkëmbimi i informacionit dhe koordinimi operacional ndihmojnë në kufizimin e rrezikut dhe në adresimin e dobësive.

Ai u ndal edhe te varësia nga furnitorët dhe ofruesit ndërkombëtarë, ku një incident jashtë rrjetit të vetë operatorit mund të ndikojë në aksesueshmërinë e shërbimeve në vend. Kjo kërkon monitorim, investime të vazhdueshme dhe aftësi për t’iu përgjigjur situatave që nuk mund të parashikohen plotësisht vetëm përmes rregulloreve.

Në sektorin financiar, Reglendi Xhango e ilustroi ndikimin e një krize kibernetike përmes ndërprerjes së shërbimeve të përditshme: pagesave me kartë, tërheqjes së parave nga ATM-të dhe kryerjes së pagesave nga bizneset. Pasojat e këtyre ndërprerjeve shtrihen përtej institucionit të prekur, duke cenuar qarkullimin e financave dhe besimin e publikut.

Xhango theksoi se qëndrueshmëria nuk nënkupton sisteme të pathyeshme, por aftësinë për të menaxhuar incidentet dhe për të ruajtur funksionet thelbësore. Në trajtimin e kërkesave të NIS 2 dhe DORA-s, ai evidentoi rëndësinë e menaxhimit të vazhdueshëm të rrezikut, përgjegjësisë së bordeve drejtuese, raportimit të incidenteve dhe testimit të kapaciteteve.

Vëmendje të veçantë iu kushtua palëve të treta. Marrëdhëniet me furnitorët kërkojnë vlerësim dhe monitorim të rrezikut, krahas garancive kontraktuale, si dhe testime që përfshijnë vazhdimësinë e shërbimeve të tyre. Xhango nënvizoi gjithashtu nevojën për të standardizuar shkëmbimin e informacionit ndërmjet institucioneve financiare dhe me AKSK-në, duke e shoqëruar këtë angazhim me burime njerëzore dhe financiare të mjaftueshme.

Esmeralda Kazia solli perspektivën e sektorit energjetik, ku siguria e sistemeve digjitale lidhet drejtpërdrejt me proceset fizike, pajisjet industriale dhe vazhdimësinë e prodhimit. Ajo theksoi se në KESH siguria kibernetike është pjesë e sigurisë operacionale dhe e përgjegjësisë për funksionimin e shërbimeve thelbësore të vendit.

Duke iu referuar përvojës së saj në monitorimin dhe reagimin ndaj incidenteve pranë AKSK-së, Kazia evidentoi se paqartësia mbi sistemet, përgjegjësitë dhe prioritetet e rikuperimit mund të shtojë pasojat e një incidenti. Në një mjedis industrial, edhe izolimi i një pajisjeje duhet të vlerësohet në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse për operimin, automatizimin dhe sigurinë e procesit, në mënyrë që masa mbrojtëse të mos krijojë një rrezik tjetër.

Për këtë arsye, investimet duhet të mbështeten në njohjen e aseteve dhe proceseve kritike, të varësive ndërmjet teknologjisë së informacionit dhe teknologjisë operacionale, si dhe të akseseve të privilegjuara dhe atyre të furnitorëve. Segmentimi i rrjeteve, menaxhimi i aksesit dhe monitorimi duhet të plotësohen me rikuperim të testuar, role të qarta dhe drejtues të aftë për të marrë vendime edhe kur informacioni është i paplotë.

Kazia theksoi se kopjet rezervë dhe planet e reagimit duhet të provohen përmes ushtrimeve. Vlera e investimeve matet me përmirësimin e aftësisë për të parandaluar, për të reaguar dhe për të rikthyer funksionet sipas prioriteteve. Për qytetarët, kjo përkthehet në energji të disponueshme, komunikime funksionale dhe shërbime që vijojnë.

Në këtë kuadër, Irma Droboniku evidentoi rolin e ndarjes së informacionit në forcimin e mbrojtjes së të gjithë ekosistemit. Informacioni për një incident i mundëson AKSK-së dhe operatorëve të marrin masa edhe për sisteme të tjera të ekspozuara ndaj të njëjtit rrezik. Bashkëpunimi, vendimmarrja në kohën e duhur dhe ushtrimet e përbashkëta e kthejnë zbatimin e kërkesave ligjore në aftësi konkrete për përballimin e incidenteve.

Paneli theksoi se qëndrueshmëria kibernetike ndërtohet përmes përgatitjes së vazhdueshme dhe provohet kur shërbimet vihen nën presion. Për institucionet dhe operatorët, përgjegjësia është të sigurojnë që standardet, investimet dhe kapacitetet të funksionojnë së bashku për të kufizuar pasojat dhe për të mbajtur vendin në funksion.

Ndiqni videon e plotë të panelit

Shpërndaj Postimin