Përgjatë kësaj jave, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) zhvilloi takime informuese me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në sektorët financiar dhe bankar, si dhe me institucionet e pavarura të administratës publike. Qëllimi i takimeve ishte njohja e operatorëve me ndryshimet e propozuara në ligjin “Për sigurinë kibernetike”. Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, sqaroi se si këto ndryshime pritet të ndikojnë në bashkëpunimin mes Autoritetit dhe operatorëve në rast incidenti kibernetik.
Projektligji parashikon krijimin e një ekipi të posaçëm për reagimin ndaj incidenteve kibernetike (CSIRT) në secilin sektor. Operatorët do të bashkëpunojnë drejtpërdrejt me ekipin përkatës për të zbatuar masat e sigurisë dhe për të bashkërenduar reagimin kur një incident rrezikon vijimësinë e shërbimeve.
AKSK do të zhvillojë takime edhe me sektorët e tjerë për t’i njohur operatorët me ndryshimet që parashikon projektligji. Për të forcuar gatishmërinë e ekipeve të tyre, Autoriteti do të vijojë me trajnime teknike dhe ushtrime simulimi të përshtatura sipas nevojave të secilit sektor.

