Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-109619 – Remote Code Execution (PHP2Shell) Lexo më shumë →
Të Reja

AKSK në Javën Globale të Sipërmarrjes: Siguria kibernetike kusht për një biznes të suksesshëm

Siguria e të dhënave është pjesë thelbësore e zhvillimit të sipërmarrjes dhe besimit te shërbimet digjitale. Përgjegjësitë e operatorëve për mbrojtjen e tyre dhe ndërgjegjësimi i përdoruesve ishin në fokus të diskutimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Bledar Kazia, në panelin “Siguria e të Dhënave në Epokën e Digjitalizimit”.Në këtë drejtim, z. Kazia u ndal te forcimi i kuadrit ligjor që mbështet punën e AKSK-së për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme, publike e private. Projektligji për ndryshimet në ligjin “Për sigurinë kibernetike”, parashikon detyrime të shtuara për operatorët dhe ngritjen e ekipeve sektoriale për reagimin ndaj incidenteve. Këto masa synojnë të forcojnë mbrojtjen e të dhënave dhe sistemeve, si dhe kapacitetet për reagim e rikuperim, në mbështetje të vazhdimësisë së shërbimeve.
Krahas masave ligjore dhe teknike, mbrojtja e të dhënave kërkon punonjës dhe përdorues të ndërgjegjësuar. Përmes trajnimeve dhe fushatave informuese, AKSK promovon praktika të sigurta për identifikimin e mesazheve mashtruese, mbrojtjen e kredencialeve dhe kujdesin ndaj informacionit që ndahet në platformat e inteligjencës artificiale. Zbatimi i këtyre praktikave në përditshmëri ndihmon sipërmarrjet të mbrojnë aktivitetin e tyre dhe besimin e klientëve.
Paneli u zhvillua në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes (GEW), organizuar nga Startup Albania dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, duke vendosur sigurinë kibernetike në diskutimin për zhvillimin e qëndrueshëm të sipërmarrjes dhe inovacionit.

Shpërndaj Postimin