Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) zhvilloi trajnimin e tretë në kuadër të ciklit të trajnimeve për përfaqësuesit teknikë të disa prej institucioneve të pavarura, me fokus në sistemet SIEM (Security Information and Event Management) dhe menaxhimin e log-eve.
Gjatë dy ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me praktikat dhe proceset që mundësojnë mbledhjen, centralizimin dhe analizimin e log-eve nga sisteme të ndryshme, si dhe me përdorimin e zgjidhjeve SIEM për monitorimin e ngjarjeve të sigurisë dhe identifikimin e aktiviteteve të dyshimta. Përmes sesioneve praktike, ata eksploruan mënyra për të përmirësuar dukshmërinë mbi infrastrukturat teknologjike dhe për të mbështetur reagimin ndaj incidenteve kibernetike.
Ky cikël trajnimesh synon të forcojë kapacitetet profesionale të institucioneve në monitorimin, mbrojtjen dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshmërisë së tyre digjitale.
Falenderim i veçantë për DCAF për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij cikli trajnimesh.
