Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-60977 – Marrje e kontrollit të Oracle WebLogic Server përmes RMI Lexo më shumë →
Lajme

AKSK organizon workshop për vajzat dhe gratë në sigurinë kibernetike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike organizoi një workshop të dedikuar vajzave dhe grave në fushën e sigurisë kibernetike. Ky aktivitet njëditor krijoi një hapësirë gjithëpërfshirëse ku pjesëmarrëset ndanë përvoja, fituan njohuri të reja dhe u angazhuan në një “Cyber Drill” interaktiv, ku rreth 30 vajza testuan aftësitë e tyre në skenarë realë të sigurisë kibernetike.

Drejtori i AKSK, z. Igli Tafa, vuri në dukje rritjen e ndjeshme të vajzave që zgjedhin teknologjinë si fushë studimi dhe theksoi se siguria kibernetike po shndërrohet në një model suksesi për të dy gjinitë. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e rritjes së prezencës së grave dhe vajzave në këtë sektor dhe i inkurajoi ato të jenë ambasadore të ndryshimit, në një kohë kur kërkesa për ekspertë në sigurinë kibernetike është më e madhe se kurrë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ambasadori Michel Tarran, Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi se siguria kibernetike nuk është vetëm një çështje teknike, por lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shoqërisë, zhvillimin ekonomik dhe të ardhmen tonë si qytetarë të botës digjitale. Ai i inkurajoi të rejat të shfrytëzojnë energjinë dhe pasionin e tyre për të sjellë ndryshim, duke u bërë pjesë aktive në formësimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe inovative.

Falënderojmë Prezencën e OSBE-së në Shqipëri për mbështetjen në organizimin e këtij eventi dhe për rolin si partner i rëndësishëm i AKSK-së, folëset që ndanë përvoja frymëzuese, si dhe të gjitha pjesëmarrëset që me energjinë dhe angazhimin e tyre e kthyen këtë workshop në një hap domethënës drejt fuqizimit të grave dhe vajzave në sigurinë kibernetike.

Shpërndaj Postimin