Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-109619 – Remote Code Execution (PHP2Shell) Lexo më shumë →
Të Reja

AKSK organizon në Mal të Zi takimin e parë Alumni të Western Balkans Cyber Camp

Pas tri edicionesh të Western Balkans Cyber Camp (WBCC), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) organizoi më 20–21 nëntor në Mal të Zi takimin e parë Alumni të kampit. Për dy ditë, të rinj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, si dhe Serbia diskutuan si mund ta çojnë përpara bashkëpunimin e nisur në kamp dhe t’i japin formë një rrjeti rajonal të të rinjve në sigurinë kibernetike.

WBCC u jep të rinjve të Ballkanit Perëndimor mundësinë të zhvillojnë aftësitë e tyre në sigurinë kibernetike dhe të mësojnë nga përvoja e bashkëmoshatarëve në rajon. Takimi në Mal të Zi i lidhi për herë të parë të tri edicionet. Pjesëmarrësit patën mundësinë të tregonin si e kanë përdorur përvojën e kampit në rrugën e tyre profesionale dhe të njiheshin me të rinj nga edicionet e tjera që ndajnë të njëjtat interesa.

Diskutimet mbi prioritetet e sigurisë kibernetike në rajon dhe ndikimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e kërcënimeve hapën edhe një temë me rëndësi për pjesëmarrësit: cilat aftësi u duhen sot të rinjve që duan të punojnë në këtë fushë? Në tryezën Alumni, ata folën për sfidat e punësimit dhe shqyrtuan mundësitë që ofrojnë gara si European Cyber Security Challenge dhe Western Balkans Cyber Security Marathon për të zgjeruar përvojën e tyre në nivel rajonal dhe europian.

Në qendër të tryezës ishte roli që mund të marrin vetë të rinjtë në ndërtimin e rrjetit Alumni. Ata diskutuan si të ndajnë mes tyre mundësi për zhvillim profesional dhe si të gjejnë, përtej grupit me të cilin kanë ndjekur kampin, bashkëpunëtorë për idetë e tyre. Përmes këtij rrjeti, AKSK synon që lidhjet mes pjesëmarrësve të të tri edicioneve të shërbejnë si pikënisje për projekte të përbashkëta në sigurinë kibernetike në Ballkanin Perëndimor.

AKSK falënderon Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, GIZ-in dhe Agjencinë për Sigurinë Kibernetike të Malit të Zi (ASB) për bashkëpunimin, si dhe Qendrën e Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C) dhe HAUS Finland për mbështetjen e këtij takimi.

Shpërndaj Postimin