Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-109619 – Remote Code Execution (PHP2Shell) Lexo më shumë →
Lajme

AKSK prezanton ndryshimet e propozuara në ligjin për sigurinë kibernetike në takim me operatorët e rinj

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, me mbështetjen e DCAF-it, zhvilloi një takim me operatorët e rinj të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit. Në fokus ishin përgjegjësitë që vijnë me këtë status dhe mënyra se si operatorët do të bashkëpunojnë me AKSK-në për të mbrojtur sistemet e tyre dhe për të reaguar në kohë ndaj incidenteve kibernetike.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, ndër të tjera, shpjegoi ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike”, të cilat parashikojnë që AKSK-ja të ngrejë ekipe sektoriale për reagimin ndaj incidenteve kibernetike (CSIRT). Operatorët e çdo sektori do të kenë kështu një ekip të dedikuar me të cilin mund të ndajnë informacion për kërcënimet, të koordinojnë reagimin në rast incidenti dhe të ndjekin zbatimin e masave mbrojtëse.
Projektligji parashikon gjithashtu rritjen e gjobave dhe detyrime shtesë për operatorët që, kur është teknikisht e mundur, të trajtojnë dobësitë e identifikuara në sistemet e tyre dhe të bllokojnë treguesit e komprometimit dhe të sulmit.

Në fjalën e tij, përfaqësuesi i DCAF-it, Rudens Kagjini, vlerësoi bashkëpunimin shumëvjeçar me AKSK-në dhe shprehu gatishmërinë për ta vijuar këtë partneritet edhe në vitin 2027, me fokus te forcimi i kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike.

Në vijim, AKSK do të zhvillojë takime të veçanta me operatorët e secilit sektor për t’i njohur me kërkesat e propozuara dhe për të diskutuar se si mund të përgatiten për zbatimin e tyre.

Shpërndaj Postimin