Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) priti në një vizitë studimore përfaqësues të GIZ nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Uzbekistani, Tunizia dhe Gjermania, në kuadër të Grupit të Punës për Digjitalizimin të rrjetit SENECA SEDE. Vizita ishte një mundësi për të ndarë përvojën e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike dhe për të diskutuar zhvillimet, sfidat dhe nevojat për bashkëpunim.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi përfaqësuesit e GIZ për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë kibernetike. Gjatë takimit, ekspertët e AKSK-së ndanë me pjesëmarrësit përvojën e institucionit dhe zhvillimet kryesore në ekosistemin kombëtar të sigurisë kibernetike, ndërsa diskutimi u zgjerua te praktikat e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor , sfidat që hasen në nivel rajonal dhe mundësitë për shkëmbim ekspertize, njohurish dhe përvojash.
Pjesë e diskutimit ishte edhe përdorimi i inteligjencës artificiale në sigurinë kibernetike, rreziqet që lidhen me të dhe qasjet rregullatore, duke krijuar një shkëmbim eksperiencash të drejtpërdrejta mes ekspertëve të AKSK-së dhe pjesëmarrësve mbi çështje që po ndikojnë gjithnjë e më shumë mjedisin e sigurisë kibernetike.

