Siguria e shërbimeve digjitale, mbrojtja e infrastrukturave kritike dhe ndikimi i inteligjencës artificiale në zhvillimin e kërcënimeve ishin në qendër të panelit të parë të Konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike më 3 nëntor 2026, në Tiranë.
Në panel morën pjesë ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, dhe David Smith, Drejtues i Projektit “Advanced Balkan Cyber” (ABCP), BAE Systems. Me moderimin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKSK-së, Bledar Kazia, diskutimi u përqendrua te nevoja për të shoqëruar transformimin digjital me investime në siguri, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe përgatitja e institucioneve dhe bizneseve për kërcënimet e reja kibernetike.
Në hapje, Bledar Kazia theksoi se siguria kibernetike lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e ekonomisë, sigurinë kombëtare dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Ai vuri në dukje se zgjerimi i shërbimeve digjitale dhe integrimi i sistemeve krijojnë mundësi të reja zhvillimi, por njëkohësisht shtojnë pikat që mund të shfrytëzohen nga sulmuesit. Për këtë arsye, përparimi i arritur në mbrojtje duhet të shoqërohet me investime dhe përshtatje të vazhdueshme ndaj sofistikimit të aktorëve keqdashës.
Siguria kibernetike si pjesë e zhvillimit ekonomik
Duke iu përgjigjur pyetjes mbi ritmin e investimeve në siguri krahasuar me transformimin digjital, ministrja Delina Ibrahimaj u ndal te mësimet e nxjerra nga sulmi kibernetik i vitit 2022. Ajo pranoi se zhvillimi fillestar i sistemeve dhe digjitalizimi i shërbimeve publike nuk ishin shoqëruar me të njëjtin ritëm nga ngritja e infrastrukturës mbrojtëse. Përballja me atë sulm e vendosi sigurinë kibernetike në një nivel të ri përparësie, duke nxitur forcimin e kapaciteteve, rritjen e financimeve dhe zhvillimin e kuadrit ligjor.
Ibrahimaj theksoi se mbrojtja kibernetike duhet të marrë vëmendje në të gjitha fushat e ekonomisë. Bizneset mbështeten te teknologjia për të kryer pagesa, për të ruajtur të dhëna dhe për të administruar aktivitetin e tyre, ndërsa një sulm mund të pengojë ose të paralizojë funksionimin e tyre.
Në këtë drejtim, ajo veçoi nevojat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat jo gjithmonë kanë kapacitete financiare dhe teknike të krahasueshme me sektorë si bankat apo telekomunikacionet. Informimi mbi rreziqet dhe edukimi për masat parandaluese u paraqitën si drejtime të rëndësishme për rritjen e mbrojtjes së këtyre bizneseve.
Ministrja u ndal gjithashtu te përgatitja e burimeve njerëzore, përmes arsimit, formimit profesional dhe kurseve të specializuara. Ajo vlerësoi interesin e të rinjve për këtë fushë dhe rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjeve që ofrojnë shërbime e zgjidhje të sigurisë kibernetike. Sipas saj, sektori publik ka rol në përcaktimin dhe monitorimin e standardeve, ndërsa zhvillimi i kapaciteteve të sektorit privat është i nevojshëm për t’iu përgjigjur kërkesës së tregut.
Në vlerësimin e rolit të Shqipërisë në sigurinë rajonale, Ibrahimaj u shpreh se kapacitetet e ndërtuara, edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, e kanë forcuar pozicionin e vendit si partner i besueshëm.
Njohja e sistemeve dhe aftësia për reagim në themel të mbrojtjes
David Smith solli në diskutim përvojën ndërkombëtare mbi ndryshimin e kërcënimeve dhe dobësitë që përsëriten në organizata. Ai theksoi se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën dhe koston e zhvillimit të sulmeve, duke mundësuar veprime më të shpejta dhe me shtrirje më të gjerë. Vjedhja e identitetit dhe e kredencialeve, si dhe rreziqet që lidhen me palët e treta dhe zinxhirin e furnizimit, ishin ndër çështjet e trajtuara.
Sipas Smith, një nga nevojat bazë të mbrojtjes është njohja e plotë e mjedisit teknologjik të organizatës: pajisjet e lidhura në rrjet, programet që përdoren dhe shërbimet që varen prej tyre. Kjo njohje mundëson vlerësimin e rrezikut dhe orientimin e investimeve sipas rëndësisë së sistemeve dhe pasojave që mund të sjellë cenimi i tyre.
Ai nënvizoi se blerja dhe instalimi i teknologjive nuk mjaftojnë për të garantuar sigurinë. Rëndësi përcaktuese kanë aftësitë e ekipeve për të zbuluar kërcënimet, për të reaguar ndaj incidenteve dhe për të rikuperuar sistemet. Në këtë kuadër, investimet në teknologji duhet të shoqërohen me zhvillimin e ekspertizës, përditësimin e infrastrukturës dhe përgatitjen e procedurave të reagimit.
Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe mbrojtja e informacionit
Diskutimi mbi të ardhmen u përqendrua te inteligjenca artificiale dhe zhvillimet në teknologjitë kuantike, duke evidentuar vështirësinë e parashikimit të saktë të kërcënimeve. Smith theksoi nevojën për të ndërtuar kapacitete që u mundësojnë organizatave të përshtaten, duke nisur nga mirëmbajtja, përditësimi dhe administrimi i duhur i sistemeve ekzistuese.
Bledar Kazia solli në vëmendje përdorimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e platformave dhe sistemeve. Ai theksoi se përfitimet në shpejtësinë e zhvillimit duhet të shoqërohen me kujdes ndaj cenueshmërive që mund të mbartin këto zgjidhje.
Paneli trajtoi edhe rrezikun e ekspozimit të informacionit personal dhe institucional gjatë përdorimit të platformave të inteligjencës artificiale. Smith nënvizoi rëndësinë e përcaktimit të qëllimeve të përdorimit, të testimit të zgjidhjeve dhe të planifikimit të masave mbrojtëse përpara përfshirjes së tyre në proceset e punës.
Ndërgjegjësimi dhe përgjegjësia e përbashkët
Pyetjet nga salla e zgjeruan diskutimin te ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe bizneseve, segmentimi i sistemeve dhe nismat për zhvillimin e kapaciteteve. Në përgjigjet e tij, Smith theksoi se ndryshimi i kulturës dhe i sjelljes së përdoruesve mbetet një nga sfidat më të vështira të sigurisë kibernetike. Edukimi duhet të përfshijë shkollat, komunitetet dhe grupmosha të ndryshme, duke e bërë mbrojtjen e të dhënave dhe përdorimin e sigurt të teknologjisë pjesë të njohurive të përditshme.
Gjatë panelit, Bledar Kazia ritheksoi mbështetjen që AKSK ofron për operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme, përmes asistencës dhe, në raste të caktuara, zgjidhjeve teknologjike. Duke njohur kufizimet që mund të kenë operatorët në burime, ai kërkoi vëmendje të shtuar ndaj investimeve në siguri dhe zhvillimit të kapaciteteve.
Diskutimi evidentoi se përballimi i kërcënimeve kërkon një angazhim të vazhdueshëm, ku teknologjia, përgatitja e njerëzve dhe përgjegjësia e drejtuesve duhet të ecin së bashku. Për institucionet dhe bizneset, gatishmëria fillon nga njohja e rreziqeve dhe e sistemeve të tyre, për të vijuar me masa konkrete që mbrojnë shërbimet dhe mundësojnë reagimin kur ndodh një incident.
Video: https://www.youtube.com/watch?v=9jNpMIdFXDY

